Grupi i Rithemelimit të Partisë Demokratike paraqiti sot raportin e asaj që e cilëson si “masakra zgjedhore e 14 majit”. Drejtuesi politik në qarkun e Dibrës, Çlirim Gjata u shpreh se, “raporti për shkeljet dhe abuzimet për bashkinë më të madhe, Dibrën, që është bashkia më e madhe e qarkut Dibër me qendër në Peshkopi, përmban materiale të shumta dhe të larmishme shkresore, fotografike, filmike, audio, video, dëshmi të zgjedhësve në lidhje me të gjitha përpjekjet që janë bërë nga partia në pushtet, administrata e lidhur me partinë në pushtet për presionet apo tundimet që i janë bërë zgjedhësve në këmbim të votës, për shitblerjen, për devijimin e drejtimit të votës së qytetarit dibran”.
“Një nga shkeljet kryesore, më e përgjithshmja është që shteti ose partia në pushtet u bë njësh me shtetin. E gjithë administrata e të gjitha niveleve nga niveli më i lartë që është Kryeministri e deri tek niveli më i ulët administrativ pra, qoftë në drejtimin vertikal apo horizontal u bë njësh me partinë në pushtet për të devijuar dhe transformuar vullnetin e lirë të qytetarëve dibranë për zgjedhjet e 14 majit për bashkinë Dibër”, theksoi ai.
“Në të gjitha njësitë administrative të bashkisë Dibër, të të gjithë qarkut apo gjithë Shqipërisë, po meqenëse jemi tek bashkia Dibër, do të kufizohemi vetëm te kjo, administratat e njësive administrative ishin thjesht shtabe elektorale. Mund të themi që ka me dhjetëra punonjës administrate që nuk i njeh njeri se kush janë, ku punojnë, as për fytyrë po as për figurë që të kenë bërë një punë, por thjesht marrin rrogën gjatë katër viteve dhe thjesht shërbejnë si shtab elektoral në zgjedhje, pra punësohen 4 vjet atje vetëm për të shërbyer për periudhën zgjedhore. Prandaj, ajo që bie në sy këtu është shfrytëzimi i burimeve administrative financiare e njerëzore”, nënvizoi ai.
“Punonjës administrate që nuk kishin ku t’i linin fëmijët dhe kishin marrë edhe familjet me vete e banonin nëpër hotele dhe gjithë ditën në kundërshtim në ligjin, merreshin me fushatën. E jo thjesht me një fushatë, se mund të bësh një fushatë normale, por jo vetëm që ishin në kundërshtim me ligjin, se nuk u lejohej personave apo funksionarëve të caktuar që të ndërhynin në fushatë, por në kundërshtim me ligjin, me Kodin Penal, duke devijuar, duke transformuar vullnetin e lirë të qytetarëve që nga shitblerja e votës deri te 1001 forma”, tha Gjata.
