J.D. vetëm 12 vjeç nga fshati Dragobi kishte këmbëngulur të shkonte për peshkim, edhe pse prindërit nuk e kishin lejuar. Vonesa e të miturit bëri që familjarët të viheshin në lëvizje dhe të lajmëronin policinë, por trupi i pajetë i vogëlushit u gjet mëngjesin e sotëm.
12-vjeçari kishte shkuar të peshkonte rreth 200 metra larg shtëpisë së tij në lumin Valbonë, por nuk u kthye më. Ai kishte ikur fshehur prindërve, të cilët nuk e kishin lejuar.
“Forcat e Policisë të Komisariatit të Policisë Tropojë së bashku me familjarët dhe banorët e fshatit, kanë vijuar kërkimet për gjetjen e të miturit, ku sot në orët e para të mëngjesit është bërë e mundur gjetja e trupit të pajetë të të miturit, në shtratin e lumit Valbonë, në vendin e quajtur “Ura e Dragobisë”. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se i mituri aksidentalisht ka rënë në lumë, ku për pasojë ka humbur jetën”, njofton policia e qarkut.
Materialet u referuan në Prokurorine e Rrethit Gjyqësor Tropojë, për hetime të mëtejshme, për ngjarjen aksidentale.
