Berat Gjimshiti ishte nja nga lojtarët më të mirë në fushë për Atalantën në përballjen e italianëve në Ligën e Kampionëve përballë Mançester Sitit. Këtë e tregon edhe vlerësimi me notën 7 nga Eurosport pas ndeshjes. Kështu, bergamasket ia dolën të merrnin pikën e parë në Champions, megjithatë mbrojtësi i Kombëtares beson se ekipi ka ende shanse për t’u kualifikuar nëse fiton ndeshjen e radhës.
“Rezultati, për mënyrën si shkoi pjesa e dytë, është zhgënjyes por kundër Sitit nuk është e lehtë dhe ata kishin shumë mundësi shënimi. Pësuam një gol të shpejtë dhe kjo na ekspozoi shumë ndaj rreziqeve. Por, në pjesën e dytë bëmë një ndeshje të madhe. Folëm gjatë pushimit dhe ramë dakord se nëse luajmë me më shumë kurajo, do të luanim si të barabartë dhe kështu rezultoi.
Jemi ende në garë për kualifikimin. Është e rëndësishme të fitojmë kundër Dinamo Zagreb, por fillimisht duhet të mendojmë për kampionatin. Ajo që është e sigurt është se duam të qëndrojmë në Europë, dhe nëse fitojmë ndeshjen e radhës mund të mendojmë akoma vendin e dytë”, u shpreh Gjimshiti.