Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka ripërsëritur dje vendosmërinë e qeverisë për të mbështetur pa rezerva organet e reja të drejtësisë.
Teksa ishte e pranishme në tryezën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë me temë “Sfidat dhe mundësitë në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e integritetit”, ministrja Gjonaj u shpreh besimplotë se strukturat e reja të drejtësisë si SPAK dhe BKH do të godasin korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend. Madje, për të treguar se SPAK dhe BKH po japin suksese, zonja Gjonaj mori si shembull operacionin “Shpirti”, për të cilin theksoi se është një tregues konkret në luftën kundër pandëshkueshmërisë në Shqipëri.
“Unë jam besimplotë që Prokuroria e Posaçme së bashku me Byronë Kombëtare të Hetimit, e cila sapo ka emëruar 28 hetuesit e parë, do të mund të bëjnë raste suksesi që lidhen me luftën kundër pandëshkueshmërisë për veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mbështetja e qeverisë shqiptare dhe e mazhorancës ka qenë e pakushtëzuar drejt institucioneve të reja të drejtësisë dhe në veçanti për strukturat e posaçme të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kjo e konkretizuar edhe në ndryshimet e fundit ligjore që u miratuan, duke i dhënë mundësi fokusimit të strukturave të posaçme në çështjet e korrupsionit të konsiderueshëm, por edhe në mbështetjen për një trajtim më të mirë financiar për shkak të vështirësisë që kanë, duke u trajtuar me 80% më shumë se paga e një prokurori të juridiksionit të përgjithshëm sot”, deklaroi ajo. Më tej, ministrja Gjonaj e ndali theksin edhe te procesi i vetingut, duke deklaruar se gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar e joprofesionalë po largohen nga sistemi. “Nëpërmjet reformës në drejtësi, nga njëra anë, po kryhet pastrimi rrënjësor i sistemit të drejtësisë nga elementët e korruptuar, jo profesionalë apo me lidhje të dyshimta me krimin nëpërmjet procesit të vetingut, ku nga rreth 50% të gjyqtarëve dhe prokurorëve të vetuar, më shumë se 60% prej tyre janë larguar nga sistemi”, nënvizoi ministrja Gjonaj.
