Gledis Nano është drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili vjen në këtë post pas dorëheqjes së Ardi Veliut. Emërimi i tij erdhi si propozim nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, thanë burime për gazetarin Arsen Rusta, e ndërsa sot është miratuar nga Këshilli i Ministrave, me firmë nga zv. kryeministri Arben Ahmetaj, pasi Edi Rama ndodhet në Slloveni.
Gledis Nano, i cili deri dje ka mbajtur postin e drejtorit të Anti-Terrorit ka qenë një nga emrat më kyç të operacioneve të riatdhesimit të shqiptarëve në kampet e ferrit në Siri. Ai ka marrë certifikatë vlerësimi për kontributin e dhënë në luftën kundër terrorizmit global, e ndërsa për punën e tij në këto operacione të rëndësishme është vlerësuar edhe nga ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Në certifikatën e dorëzuar shkruhet “Për partneritetin e jashtëzakonshëm dhe dedikimin në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Tiranë Shqipëri, dhe përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit. Vendosmëria juaj dhe përkushtimi në luftën kundër terrorizmit ka sjellë kredite të mëdha e të shtuara tek vetja juaj edhe për Drejtorinë e Antiterrorit dhe Policinë e Shtetit”.
