Ishte njoftuar si një protestë e studentëve para Ministrisë së Arsimit, por në pjesën dërmuese ishin ata që shfaqen mbrëmjeve në protestat e të vetëquajturve “Flamingo”. Rreth orës 14:00, protestuesit u shfaqën para godinës. Me thirrjet “dorëheqje”, “revolucion”, “ju erdhi fundi”, ata protestuan të qetë për një orë para Ministrisë së Arsimit, po rreth orës 15:00 nisën aktet e dhunës.
Vezë, molotovë, gurë e letra higjienike u hodhën në drejtim të godinës, ndërsa me bojë lanë disa mbishkrime mbi mure “turp”, “Ikni”, “këtu vendosim ne”. Prej gati 5 orësh, ata janë ende në rrugën e Durrësit dhe në orët e mbrëmjes aktet e dhunës u bënë më të ashpra. Protestuesit mësynë në një institucion financiar “‘Iute Credit’, i morën mobilljet dhe ia flakën në rrugë duke i vënë zjarrin.
Dhuna duket një strategji e menduar nga protestuesit, të cilët vijën e parë dhe sulmet ia kishin lënë një grupi të rinjsh me masa të zeza apo kirurgjikale me qëllim që mos të identifikoheshin nga policia. Të rinjtë shkulën kangjellat e trotuarit dhe nisën t’i hedhin në drejtim të godinës. Sulmuan me kangjella edhe një prej portave të Ministrisë, çka bëri që një grup protestuesish të futeshin brenda oborrit të godinës.
Deri në këto momente forcat e policisë nuk kishin ndërhyrë. Menjëherë krijuan një kordon sigurie brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit. Pavarësisht thirrjeve të bluve, protestuesit nuk i ndalën sulmet, kësaj radhe edhe në drejtim të vetë efektivëve. Të rinjtë e maskuar hodhën edhe pllaka trotuari drejt godinës së Ministrisë së Arsimit, ku thyen edhe disa xhama.
Policia ndërhyri duke hedhur spraj me piper, gaz lotsjellës si dhe sasi të mëdha uji nga autobotet që ishin në gatishmëri. Protestuesit e dhunshëm, efektivët i ndoqën, duke shoqëruar 30 prej tyre deri në orën 17:30. 13 persona janë paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore, 6 efektivë, 2 gazetarë, 3 protestues dhe 2 kalimtarë.
Gjashtë efektivë dhe gazetarja e FaxNews Fatime Halmus mbetën të lënduar të cilët janë dërguar te Trauma për të marrë ndihmë mjekësore. Një i moshuar humbi ndjenjat.
Edhe pse u promovua si protestë e studentëve kundër kushteve në të cilat gjendet arsimi, në të morën pjesë jo vetëm “Flamingot” por edhe eksponentë të opozitës si Ilirjana Kuçana e PD, eksponentë të FRPD, deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri deri të dhëndri i Sali Berishës Jamarbër Malltezi i cili ishte në terren duke ndarë video nga protesta në rrjetin e tij social Facebook.
13 persona në total janë paraqitur në spital për të marrë ndihmë pas incidenteve në protestën e sotme. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se në spitalin “Nënë Tereza” janë paraqitur 3 protestues me shqetësime ndaj gazit lotsjellës. Prej tyre, vetëm njëri vijon ekzaminimet.
Te Spitali i Traumës, kanë marrë ndihmë dy gazetare dhe 6 policë që pasi kanë marrë ndihmën, janë larguar.
Edhe dy kalimtarë kanë kërkuar ndihmën e bluzave të bardha, nga të cilët njëri është shtruar në spital kurse tjetri është nën monitorim.
Njoftimi:
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje për ndihmë mjekësore gjatë protestës dhe pas përshkallëzimit të saj.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Pas konsultës me mjekët, dy prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës.
Në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor edhe dy përfaqësuese të medias, të cilat, pas ekzaminimeve dhe konsultave përkatëse, janë larguar me këshillën e mjekut, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, gjashtë efektivë të Policisë, të raportuar me dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën, me këshillën e mjekut.
Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital, ku do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim nga mjekët.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe strukturat shëndetësore mbeten në gatishmëri për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit mjekësor për çdo person që paraqet nevojë.
