Disa thonë nuk duhet festuar Halluin e disa thone: ç’te keqe ka? Ka argumenta nga çdo anë, pro dhe kundra. Hajde thuaja fëmijëve këtë gjë. Ata nuk duan t’ia dijnë. Sonte në sheshin e Rrëshenit shihje shumë fëmijë të veshur me kostumet që janë blerë për këtë ditë. Po ashtu të pikturuar me ngjyra në fytyrat e tyre. Kishte shumë. Dhe nuk ka gjë që i ndal. E as kapsollat shurdhuese nuk ndalen me gjithë përpjekjet e policëve për t’i ndalur.
Problemi i Halluinit nuk qëndron në çështje fetare, por diku tjetër.
Ne të rriturit që debatojmë, në fakt shprehim vetëm pafuqinë tonë përballë modave të cilat kanë një qëllim të vetëm: biznesin. Industria që qëndron prapa këtyre gjërave është e fuqishme si industritë e çdolloj mode. Fitimi ndikon vullnetet, i nxit ato, i skllavëron dhe u merr edhe qindarkên e fundit që njerëzit kanë. Por kjo nuk ndodh vetëm me halluin.
Festa të tilla dhe moda të tilla tregojnë fitoren e llogarisë mbi shpirtëroren.
Ti je thjesht një shifër.
Ti vlen aq sa konsumon.
Prindërit, duke kënaqur fëmijët e tyre, kanë kënaqur dhe ia kanë nënshtruar vullnetin e tyre një biznesi që ka bërë një studim të mirëfilltë se si të tërheqë nepsin e fëmijës. Kjo është vetëm një miniaturë e asaj çka ndodh me industri të tjera, sikurse makinat, telefonat, veshjet etj etj.
Prandaj nëse ka diçka “djallëzore” është vetëm te ky imponim që logjika e numrave dhe shifrave i bën realitetit njerëzor.
E megjithatë, në një vend katolik, së paku sociologjikisht, si Rrësheni pak prindër, për të mos thënë aspak, u kanë shpjeguar fëmijëve se çfarë është sonte dhe nesër për ne të krishterët katolikë.
Nuk u kanë shpjeguar se është Festa e të gjithë Shenjtërve, një festë drite dhe lumnie e jo frike e shpenzimesh.
Nuk u kanë thënë, e mos prisni ta bëjnë vetëm priftërinjtë e motrat, pasi fëmija edukohet më së pari në familje, se nesër duhet të shkojmë në meshë e të lutemi bashkë me të gjithë shenjtërit e qiellit për familjen, për babin e mamin, për gjyshërit, për qytetin tonë, për ata që na drejtojnë e kështu me rradhë.
Megjithatë, duke lënë menjëanë moralizmat, sonte, para se të flemë, mund lutemi:
O Zot i jetës dhe dhurues i dashurisë na jep gëzimin e zemrës e një ditë, bashkë me të gjithë shenjtërit e qiellit, na jep gëzimin e jetës së vërtetë që nuk mbaron kurrë.
Na jep kurajon të zgjedhim vetë e të mos ia nënshtrojmë vullnetin tonë çdo mode që kalon e çdo nepsi që na imponohet.
Bëj që të zgjedhim të bukurën, dritën dhe të mirën e të flakim tej të shëmtuarën, errësirën dhe të keqen ashtu sikurse bënë shenjtërit që gëzojnë në dritën e fytyrës tënde.
Amen!
