Tërmetet më të fuqishme që e kanë goditur Shqipërinë janë regjistruar zyrtarisht duke nisur nga viti 1851, kur si pasojë e lëkundjeve në Berat humbën jetën 400 persona dhe shumë të tjerë u lënduan. Dëmet materiale qenë të mëdha.
Tërmeti më i fundit me viktima ka ndodhur në Shkodër, më 15 prill 1979, ku një tërmet 8 ballësh shkaktoi 40 të vdekur dhe dëmtoi 17.118 shtëpi.
Por, ky nuk ka qenë më vdekjeprurësi për qytetin verior. Më 1 qershor të vitit 1905, tërmeti në Shkodër la pas 200 të vdekur.
Më 22 dhjetor të 1919-ës, lëkundjet tronditën zonën e Leskovikut, Konicës dhe zonat kufitare me Greqinë ndërsa nuk pati të dhëna për viktima, por dëmet ishin të mëdha.
Një vit më vonë, ishte radha e Elbasanit, ku u regjistrua një tërmet i cili shkaktoi 14 viktima, mbi 300 të lënduar dhe shumë shtëpi të shkatërruara.
Më 30 mars të 1921-shit, lëkundjet u ndjenë në Peshkopi dhe Dibër të Madhe, por nuk pati të dhëna për dëme në njerëz, ndërsa dhjetëra shtëpi u rrënuan.
Katër vite pas çlirimit, në gusht të 1948-ës, zona e Shkodrës u prek nga tërmeti dhe atëherë u raportua një i vdekur dhe 27 të lënduar, por edhe dëme të mëdha ku ndër të tjera dëmtime të shtratit të Bunës.
Më 1 shtator të 1959-ës, tërmeti përfshiu zonën e Myzeqesë. Në total janë dëmtuar 944 shtëpi, ndërkohë që u shkatërruan edhe shumë objekte të tjera.
Pas tetë vjetësh, një tërmet i fortë e tronditi zonën e Librazhdit dhe Dibrën e Madhe në Maqedoni. Atëherë u shënuan 12 të vdekur dhe 174 të lënduar, si dhe mbi 6,336 ndërtesa të shkatërruara.
Tërmeti i fundit i fortë është regjistruar në Tiranë në janar të 1988-ës ku dëmet kryesore ishin në fshatrat Arbanë dhe Petrelë./ Top Channel
Tërmeti më i madh në Shqipëri është regjistruar në Berat, më 17 tetor 1851, duke shkaktuar 400 të vrarë në Kala.
