Kryeministri Mark Rute ka dhënë sinjale për një bllokadë të Holandës ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë.
Në një konferencë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, kryeministri holandez është shprehur i shqetësuar për mungesën e progresit në Shqipëri, duke theksuar se vendi i tij do ta diskutojë çështjen e negociatave.
Mediet e huaja citojnë kryeministrin Rute, i cili ka thënë se Maqedonia e Veriut ka arritur më shumë progres se Shqipëria.
“Pyesim veten se sa përparim ka bërë Shqipëria. Do ta shqyrtojmë çështjen në javët e ardhshme me partnerët tanë europianë. Por jemi të shqetësuar nga mungesa e përparimeve. Maqedonia e Veriut ka bërë më shumë, por diskutimet vazhdojnë”, ka deklaruar kryeministri.
Kujtojmë, që deri më tani Holanda është shprehur skeptike për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
Pak ditë më parë, ministri i Jashtëm, Stef Blok, deklaroi se për çeljen e këtij procesi është ende herët dhe se rasti i Shqipërisë duhet të trajtohet më vete nga ai i Maqedonisë së Veriut.
