Policia e Elbasanit bën të ditur se një 34-vjeçar ka hyrë me dhunë me makinë në ambientet e drejtorisë vendore të Policisë duke mos iu bindur urdhrit për të ndaluar.
Më pas ai ka dalë nga makina dhe me një pistoletë me gaz në dorë duke bërë lëvizje të pa kontrolluara është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga shërbimet e policisë.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se ai dyshohet të ketë qenë në gjendje të rënduar psikologjike.
NJOFTIMI
Elbasan/ Informacion paraprak
Rreth orës 11:00, shtetasi B. L., 34 vjeç, banues në Elbasan, dyshohet në gjendje të rënduar psikologjike, duke drejtuar mjetin tip “Toyota”, ka goditur portën hyrëse të DVP Elbasan dhe ka hyrë në oborrin e DVP-së, duke mos iu bindur urdhrit për të ndaluar të dhënë nga punonjësi i Policisë që kryente shërbim në hyrje të DVP-së.
Ky shtetas, pasi ka hyrë në oborr, ka dalë nga mjeti me një pistoletë me gaz në dorë, duke bërë lëvizje të pakontrolluara, por është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga shërbimet e Policisë.
Specialistët për Hetimin e Krimit dhe grupi hetimor po vijojnë veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
