Dy turistë gjermanë të cilët po shëtisnin Fierin me biçikletë, kanë ndaluar në një moment për të bërë disa foto. Pikërisht këtë moment ka shfrytëzuar një 19-vjeçar për tu marrë mjetet e tyre të transportit.
I riu është parë nga një qytetar që ka lajmëruar menjëherë policinë. E gjithë ngjarja ka ndodhur në zonën e quajtur “Azotiku” në Fier. Policia reagoi menjëherë duke iu kthyer biçikletat turistëve.
NJOFTIMI I PLOTE
Policia e Fierit falë bashkëpunimit me qytetarët u gjen në kohë rekord dy turistëve biçikletat që u kishte vjedhur një 19-vjeçar
Gjatë ndjekjes nga Policia autori mundi të largohet, por është identifikuar dhe shpallur në kërkim.
Në zonën e quajtur “Azotiku”, një shtetas u kishte vjedhur biçikletat dy turistëve gjermanë, duke shfrytëzuar momentin kur këta të fundit ishin duke filmuar.
Një qytetar, i cili kishte parë momentin e vjedhjes, njoftoi policinë dhe menjëherë drejt vendngjarjes u nis njësia “Shqiponjat”, e cila u vu në ndjekje të autorit. Gjatë ndjekjes, autori braktisi biçikletat në lagjen e romëve dhe arriti të largohet. Policia po punon për kapjen e shtetasit K. M., 19 vjeç dhe vënien e tij para përgjegjësisë ligjore.
Shërbimet e Policisë “Shqiponjat” u kanë dorëzuar biçikletat turistëve gjermanë, të cilët kanë falënderuar Policinë për gjetjen e tyre.
Policia e Fierit falënderon qytetarin për besimin, bashkëpunimin dhe reagimin qytetar, pasi raste të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në imazhin e vendit dhe fton cilindo që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112 ose në “Komisariatin Dixhital”, duke garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.