Feronikeli bën goditjen e radhës të madhe në merkato, e cila tashmë drejtohet nga ish-trajneri i kosovës, Albert Bunjaku i cili ka marrë rolin e drejtorit në klub. Kampionët e Kosovës, pasi kanë bërë “spastrime” të mëdha në radhët e tyre duke larguar shumë prej emrave që kanë mbajtur peshën e ekipit në dy sezonet e fundit, po riorganizohen dhe kanë siguruar afrime të bujshme.
Sipas “Gazeta Sheshi”, emri i radhës që pritet të prezantohet nesër, është ai i Ilir Berishës, mbrojtësit i cili ka veshur edhe fanellën e Flamurtarit në kampionatin shqiptar të futbollit. Berisha luante prej dy vitesh në radhët e klubit Vasteras në Suedi, por duket se ka pranuar ftesën e Bunjakut që të bëhet pjesë e Feronikelit për vazhdimin e këtij sezoni.
Berisha ka qenë një kandidat potencial për përfaqësuesen shqiptare në të kaluarën. Ai iu grumbullua nga trajneri Xhani De Biazi në vitin 2013 por nuk u aktivizua në asnjë ndeshje me kuqezinjtë, ndërsa më pas luajti 3 ndeshje me përfaqësuesen e Kosovës e cila asokohe drejtohej pikërisht nag Bunjaku.