Policia e Durrësit ka arrestuar një 39-vjeçar. Ermal (Fation) Skënder Dumo është i dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane, me 6 vjet e 9 muaj burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge. Pritet ekstradimi në Itali.
“Gjatë operacionit, është kapur nga shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, shtetasi Ermal (Fation) Skender Dumo, 39 vjeç, banues në Durrës.
Gjykata e Apelit në Trento, Itali, e ka dënuar këtë shtetas, me 6 vjet e 9 muaj burgim, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Në vijim të veprimeve procedurale, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve u bë arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë. Procedurat për ekstradimin e tij do të kryhen nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën”,-thuhet në njoftimin e Policisë.
