Policia greke ka arrestuar 23-vjeçarin shqiptar që u arratis mbrëmjen e së hënës nga burgu i Avlonës në Greqi. Albiano Xhezairi u kap në lagjen “Omonia” të Athinës. Ai u identifikua në qendër të kryeqytetit grek pas kërkimeve intensive nga ana e autoriteteve.
Ndërkohë vazhdojnë hetimet për të kapur të arratisurin e dytë nga burgu i Avlonës, një 21-vjeçar sirian. Dy të burgosurit mundën të arratiseshin nga qelia në kushte të paqarta dhe të kapërcenin më pas murin rrethues të burgut.
Një oficere policie që po patrullonte në zonë jashtë perimetrit të burgut, qëlloi me armë në ajër kur pa të burgosurit që po largoheshin. Por, njëri prej tyre e goditi në fytyrë me sende të forta efektiven dhe më pas të dy u arratisën.
Albiano Xhezairi është dënuar me 16 vite burgim në Greqi për trafik droge, pasi u arrestua në Athinë në muajin Maj 2017 si pjesë e një grupi kriminal. Roli i tij ishte të merrte dhe transportonte lëndën narkotike në kufirin shqiptaro-grek.
23-vjeçari Xhezairi është person i kërkuar edhe në Shqipëri. Ai akuzohet si pjesëmarrës në vrasjen e Aleksandër Bardhit, ngjarje e ndodhur më 24 Shtator 2016 në fshatin Shëndëlli të Sarandës.
Lidhur me këtë krim, në atë kohë u arrestuan dy të rinj, ndërsa Albiano Xhezairi ishte shpallur në kërkim pasi nuk ishte kapur. Në banesën e tij policia gjeti 3 automatik model 56 dhe 3 karikatorë me fishekë, që pas ekzaminimeve laboratorike u provua se njëri prej tyre ishte përdorur për vrasjen e 47-vjeçarit Aleksandër Bardhi. Disa ditë para ekzekutimit të tij, 3 armët ishin përdorur për qitje në të njëjtin vend.
Historia
Aleksandër Bardhi, vëllai i ish-kryekomunarit të Kaçinarit në Mirditë, Petrit Bardhi, u ekzekutua me armë automatike më 24 shtator të vitit të kaluar në fshatin Shëndëlli të Konispolit.
Ai u qëllua nga tre të rinj në momentin që i zbuloi, teksa i vidhnin disa rrënjë bime narkotike të llojit kanabis. Nga hetimet rezultoi se, 47- vjeçari u qëllua për vdekje ndërsa ndiqte të rinjtë me makinë, kurse ata po tentonin të largoheshin me një varkë përmes detit.
Në momentin që ai u afrua, u qëllua me breshëri automatiku. Të rinjtë u larguan me varkë, ndërsa Bardhi arriti të shkonte me këmbët e tij deri në banesë, por për shkak të plagëve të rënda dhe humbjes së gjakut gjatë rrugës, ndërroi jetë pa mbërritur ende në spital.
Policia konfirmoi dyshimin se vrasja e Aleksandër Bardhit ndodhi pasi tre të rinjtë ishin nisur nga Ksamili për të vjedhur disa bimë “cannabis sativa” në një parcelë që kishin zbuluar në fshatin Shëndëlli, pasi ishin konsumatorë të drogës. Pak pas ngjarjes, u arrestuan Dhimitër Çiko, 21 vjeç, Amarildo Lame, 19 vjeç ndërsa Albi Xhezairi, 21 vjeç, u shpall në kërkim.
Ndërkohë që i biri ishte në kërkim, Agron Xhezairit, 53 vjeç, iu bë atentat rreth një muaj pas vrasjes së Bardhit. Ndërsa po ecte me makinë, ai zbuloi një pako të dyshimtë, e cila rezultoi se ishte eksploziv dhe që u çaktivizua më pas nga RENEA.
Por ndonëse i shpëtoi këtij atentati, një muaj më pas, Agron Xhezairi, u ekzekutua me armë zjarri para shtëpisë së tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:40, më 11 dhjetor 2016, në Ksamil.
Mbi babanë e të shumëkërkuarit Albi Xhezairi, u qëllua disa herë me kallashnikov duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme. Në momentin e atentatit pranë 53-vjeçarit Xhezairi ndodhej kunata e tij, e cila ka parë gjithë skenën e krimit.
“Më vrave qen!”, mësohet se ishin fjalët e fundit që ka thënë Agron Xhezairi pasi u qëllua.
Nga burime të Policisë mësohet se ditën e ekzekutimit, kishte shkuar për vizitë në familjen Xhezairi kunata e viktimës. Ky i fundit ka dalë për ta përcjellë, pasi ishte bërë errësirë. Nisur edhe nga ngjarjet e kohëve të fundit, në shtëpi Xhezairi mbante një qen të lidhur te makina për ruajtje.
Sa dolën jashtë e duke shkuar te makina nga kopshti i komshiut, është gjuajtur me armë mbi të.
Kunata e viktimës është ajo që e ka parë të gjithë skenën e krimit, por jo autorin, i cili ndodhej vetëm 5 metra larg, pas murit rrethues që e ndante shtëpinë e Xhezairit me atë të fqinjit.
Për këtë ngjarje, policia tha se kishte dyshime të forta për hakmarrje, pasi djali i tij, 21- vjeçari Albi Xhezairi, është personi kryesor i dyshuar për vrasjen e Aleksandër Bardhit.
Por, në mungesë të provave për vrasjen e 53-vjeçarit nuk pati asnjë person të arrestuar. Familja Bardhi, me origjinë nga Mirdita, është zhvendosur prej fillimit të viteve ’90 në fshatin Shëndëlli të Sarandës. Ndërkaq, dje u shënua vrasja e tretë, e cila dyshohet se ka lidhje me dy të parat dhe që zanafilla ka qenë për disa bimë të mbjella me drogë.
