Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj, është ngarkuar nga kryeministri Edi Rama si drejtues politik i Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës. Ai tregoi panoramën me të cilën ndeshet në qarkun Shkodër, ndërsa renditi edhe dy sfidat kryesore. Sipas tij, ka perceptime në publik se kryeqendra e veriut, Shkodra, është lënë pas dore.
“Më kanë caktuar detyrën në qarkun e Shkodrës. Në Shkodër kemi një specifikë, sigurisht se ka dy lloj pakënaqësish. E para kemi pasur një boshllëk organizativ në parti për 14 muaj, dhe vetë socialistët janë ndjerë pak si të lënë mënjanë, për fat të keq u zgjat edhe për prej pandemisë. Kjo është brenda. Ajo çfarë unë me vështirësi po përpiqem të komunikoj me shkodranët është perceptimi i tyre, për mua i pasaktë, që Shkodra është lënë pas dore. Ky është perceptimi. Kjo është situata sot dhe unë dua ta zbus maksimalisht deri në 25 prill. Unë sot në Shkodër mund të rendis një listë gati 102 milionë dollarë në funksion të zhvillimit të qarkut me fokus te turizmit gjithëvjetor”, u shpreh ish-ministri i Shëndetësisë.
