Një episod i rëndë diplomatik ka ndodhur gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias, në Libi.
Mediat greke bëjnë me dije se Dendias ka anuluar takimin, kur avioni kishte zbritur tashmë në aeroportin e Tripolit.
“Protothema” shkruan se Dendias sapo mbërriti në aeroportin e Tripolit, u njoftua se do të pritej nga ministrja e Jashtme e qeverisë libiane, Naila Mangous, që ka nënshkruar memorandumin e paligjshëm turko-libian, të cilin Athina ka kundërshtuar në gjithë institucionet ndërkombëtare.
Dendias sipas marrëveshjes, duhej të pritej atje nga Presidenti i Këshillit Presidencial të vendit, Mohamed Menfi ndaj dhe nuk ka pranuar të takohet me Naila Mangous duke e konsideruar këtë ndryshim si një shantazh të qeverisë tranzitore të Libisë.
Dendias kishte pranuar takimin me Mefis me kushtin që të ndodhej vetëm ai dhe të mos merrte pjesë në takim askush tjetër. Dendias pa zbritur nga avioni ka komunikuar me stafin e qeverisë libiane duke theksuar se nuk u respektuan kushtet e rëna dakord dhe më pas, ka vendosur të anullojë vizitën.
Mirëpo nuk ka mbaruar këtu, pasi kur avioni qeveritar kërkoi leje për t’u ngritur dhe për të udhëtuar në Bengazi, Tripoli informoi pilotin e avionit se nuk kishte plan fluturimi për të lënë hapësirën ajrore atje dhe për të kaluar në hapësirën ajrore të Bengazit. Ministrit të Jashtëm dhe pjesës tjetër të misionit diplomatik iu desh të prisnin 1.5 orë brenda avionit për tu nisur dhe më në fund për të mbërritur në Bengazi, ku vazhdon programi i ministrit grek.