Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar përmes ish ministres së Integrimit Klajda Gjosha për ecurinë e procesit integrues të vendit, duke e quajtur qershorin jeta a vdekje për këtë proces jetik.
“Duke marrë shkas nga deklaratat e komisionerit Hahn, si dhe nga mesazhett e rëndësishme të dhëna sot gjatë ceremonisë së Presidencës rumune nga ambasadori i delegacionit evropian në Shqipëri, Z. Sorecca për dialog konstruktiv mes partive për reformat kyçe, dëshiroj ti bëj thirrje të gjitha palëve politike, se Shqipëria nuk ka më asnjë moment për humbur për çeljen e bisedimeve për anëtarësim. Qershori është jetë a vdekje për një proces jetik, siç është procesi i integrimit europian”, tha Gjosha në një deklaratë për mediat.
Ajo shtoi se Shqipëria ka para një sërë sfidash, si vazhdimësia e Reformës në Drejtësi me zgjedhjen e Kryeprokurores së Përgjithshme, ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ngritjen e SPAK-ut dhe Byrosë së Hetimit, Reforma Zgjedhore dhe eliminimin e shitblerjes së votës. Sipas saj këto sfida kërkojnë përgjegjshmëri të lartë politike si detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë.
