Deklarata e Pfizer dhe BioNtech se vaksina e tyre ka treguar një efektivitet 90% ndaj COVID-19 solli shpresë në të gjithë botën edhe pse ka ende shumë rrugë para aplikimit në masë në popullatë.
Bëhet fjalë për një kompani amerikane dhe një gjermane, ndërkohë që të tjera vaksina janë drejt fazave përfundimtare.
Ermal Xhaho, mjeku shqiptar në Gjermani në një intervistë për tirananews.al shpreson që rezultati i kësaj vaksine të jetë pozitiv por nuk duhet të jemi euforik dhe duhet të vijojmë me zbatimin e masave. “Armatimi“ në këtë aspekt është një vaksinë efikase, ndaj deri në momentin e aprovimit të saj kemi një sistem shëndetësor vazhdimisht në tension”, thotë dr. Ermali.
INTERVISTA
Vaksina e re doli nga bashkëpunimi i Pfizer-it amerikan dhe atij gjerman BioNtech. Një lajm që na dha një sinjal pozitiv të gjithëve se në fund të tunelit ka dritë. Si e shihni këtë zhvillim? Kur mund të kemi një vaksinë efektive në masë?
– Biontech dhe Pfizer janë prodhuesit e parë perëndimor që botuan rezultatet e një studimi i cili është thelbësor për miratimin e vaksinës. Puna është kryer në “shpejtësi drite” përsa i përket zhvillimit dhe faktit që deri tani asnjë vaksinë e grupit ARN nuk është aprovuar. Deri tani nuk ka pasur efekte anësore të konsiderueshme, megjithatë periudha e vëzhgimit për efektet anësore është ende shumë e shkurtër pasi fillimi i zhvillimit është në janar dhe studimi i fazës së tretë që nga korriku. Sipas të dhënave nga kompanitë, vaksina ofron rreth 90% mbrojtje kundër sëmundjes Covid-19 dhe një imunitet 1-vjeçar, por kjo nuk është ende e sigurt. Ndërkohe shumë vaksina rutinë psh. ato kundër gripit sezonal nuk arrijnë nivele kaq të larta.
Tashmë është bërë kërkesa për aprovimin e vaksinës, shpresoj që rezultati të jetë pozitiv.
Si paraqitet situata në Gjermani aktualisht? A janë mjekët tashmë më të “armatosur” me njohuri për të përballuar këtë armik të padukshëm?
– Situata në Gjermani siç pritej është në fazën e valës së dytë, ashtu siç edhe pritej. Shifra e infeksioneve të reja ditore kap 20. 000. Detyrimisht që nëpërmjet njohurive nëpërmjet eksperiencave ka zhvillime si në trajtimin të pacientëve me COVID-19 ashtu dhe në menaxhimin e situatave. Pavarësisht kësaj nuk përjashtohen infeksionet në stafin mjekësor i cili për ndërprerjen e zinxhirit të përhapjes ka pasoja kritike për situatën. Masat mbrojtëse që nga fillimi i këtij muaji janë shtrënguar pasi kolapsi shëndetësor varet nga shpejtësia e përhapjes. “Armatimi“ në këtë aspekt është një vaksinë efikase, ndaj deri në momentin e aprovimit të saj kemi një sistem shëndetësor vazhdimisht në tension.
Tashmë gjithë bota është në pandemi prej 7 muajsh për shkak të COVID-19. Si mendoni dr. Ermali a ka ndryshuar SARS-CoV-2, a ka rënë virulenca e tij. Mund të flasi për një shtim rastesh por ulje të vdekshmërisë dhe komplikacioneve?
– Është interesante nëse aktiviteti i Sars-Cov-2 ndikohet sezonalisht. Shumë viruse të sëmundjeve akute të frymëmarrjes zakonisht përhapen më dobët gjatë verës. Arsyet janë temperaturat e larta, rezatimi UV dhe fakti që kalohet më pak kohë në ambiente të mbyllura. Një sezonalitet është vërejtur me viruset e tjerë të këtij grupi gjithashtu dhe me Sars-Cov-2. Në aspektin e mortalitetit është ende i paqartë efekti i tij pasi virusi ende has një popullatë që nuk ka mbrojtje imune kundër Sars-CoV-2. Fakti i shtimit të rasteve dhe uljes së komplikacioneve apo vdekshmërisë është nga njëra anë rritja e testeve sidomos në fazën pas pushimeve që pati një rritje të konsiderueshme dhe përshtatjen e terapisë, e cila është më efikase se në periudhën Mars-Prill.
Cilat janë mësimet që Shqipëria mund të nxjerrë nga Gjermania në menaxhimin e situatës?
– Duke mos qenë i pranishëm në Shqipëri, edhe mendimi mbi këtë çështje nuk e ka objektivitetin e duhur.
Gjithsesi për mua ka dy fjalë kyçe:
Nga ana e stafit mjekësor: Të qënit koherent me sugjerimet botërore të trajtimit dhe nga ana e instancave të shtetit: Investimi i kontrolluar në shëndetësi ( jo vetëm shifra). Fakt është sistemi shëndetësor ka nevojë për shumë investime. Përsa i përket masave mbrojtëse në popullsi Shqipëria i aplikon që në fazat e hershme. Përdorimi i maskave në ambiente të hapura është aplikuar më parë se në Gjermani.
Rrjeti i mjekëve shqiptarë në Gjermani vijon aktivitetin e tij në dobi të shqiptarëve atje. Në këto shtatë muaj si ka ecur puna juaj?
– E vërtetë rrjeti jonë në Gjermani vijon aktivitetin që përmendët në mënyrë vullnetare. Frekuenca e punës nuk është ajo e muajve të fillimit pasi dhe njohuritë mbi këtë sëmundje janë më të gjera. Përveç ndihmës në fushën e mjekësisë dixhitale ndaj pacientëve ne kemi vendosur që vazhdimisht eksperiencat tona rreth pandemisë t’i ndajmë nëpërmjet rrjeteve sociale gjë që ndihmon jo vetëm anëtarët në Gjermani por dhe jashtë vendit./ A.B- tirananews.al