Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka sqaruar në “Ora News” dhe procedurën që ndiqet me opinionet e Komisionit të Venecias.
Halimi tha se dokumenti nuk është përfundimtar, por vetëm draft. Sipas tij, në të kaluarën ka ndodhur që një opinion i Venecias është ndryshuar, në detaje të veçanta, në miratimin përfundimtar që i bëhet në Komision.
“Dokumenti u ka ardhur palëve për njohje, sipas rregullave të Komisionit të Venecias. Zakonisht nuk publikohet, siç ndodhi këtë herë. Më pas drafti diskutohet në Komisionin e Venecias, ku komisionerët e miratojnë si raport që vlen jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për raste të tjera. Gjatë miratimit ka pasur raste kur pika të ndryshme të raporteve, detaje, apo kontekste të caktuara mund të ndryshohen”,- tha Halimi.
Ish-ministri shtoi se pjesa ku jepen vlerësime për votimet e 30 qershorit është diçka që ka dalë jashtë kompetencave të misionit të vëzhguesve.
“Për zgjedhjet janë institucione të tjera ndërkombëtarë që përgjigjen. Nuk besoj se në raportin përfundimtar Venecia do lërë frazat që lidhen me zgjedhjet, që edhe kur i fiton 1 parti vetëm në garë, quhen demokratike”,- tha Halimi.
