Ish-kreu i Policisë Bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha së bashku me 9 persona të tjerë dyshohet se ka qenë një nga personat kryesorë që do të mbronte në rast rreziku me 8 janar godinën e selisë së PD-së nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në dosjen hetimore të prokurorisë së kryeqytetit, sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha, mësohet se në aplikacionin e Komisariatit Digital, është çuar një video, ku dallohen një grup prej 10 personash, të cilët ishin ulur në një dhomë, duke ngrënë ushqim dhe duke luajtur me instrument muzikor.
Në mesin e tyre dallohet Florenc Hoxha, i cili mban të veshur një kostum sportiv me ngjyrë blu dhe me vija të bardha.
“Nga të dhënat operative që disponoheshin nga policia, rezultonte që grupimet e individëve të sipërpërshkruar, si dhe individë të tjerë që do të mbështesnin Grupin e Rithemelit të Partisë Demokratike, më 08.01.2021, do të kryenin veprime të dhunshme ndaj njëri-tjetrit, ndërtesës ose Selisë së Partisë Demokratike, duke u bërë pjesë e skenarëve të dhunës, shkatërrimit të pronës, prishjes së rendit e qetësisë publike, veprime për të cilat dyshohej që do të kryheshin dhe nga individë të dyshuar të armatosur me armë të ftohta apo zjarri”, citohet nga dosja.
Po ashtu, nga e njëjta dosje mësohet se drejtoritë vendore të policisë në qarqe kanë sjellë të dhëna në rrugë operative për grupe që do të udhëtonin në drejtim të qytetit të Tiranës, me qëllim pjesëmarrjen në tubimin që do të zhvillohej më datë 8 janar, me dyshimin se mund të përfshiheshin në veprime të dhunshme.
Selia e Partisë Demokratike u sulmua me forcë gjatë ditës së 8 janarit nga mbështetës të ish kryeministrit Sali Berisha, të cilët iu përgjigjen thirrjes së tij për marrjen nën kontroll të godinës ku po qëndronte kryetari demokrat Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të partisë.
Sipas akuzave që janë ngritur, rezulton se 11 nga të arrestuarit janë mbështetës të Bashës dhe 23 të tjerë të Berishës.
