Eros Grezda, sulmuesi më i ri i Partizanit, ka folur për ndeshjen e parë të kualifikueseve të Ligës së Kampionëve kundër BATE Borisov që pritet të zhvillohet më 11 korrik në “Air Albania”.
I ftuar në emisionin “Panorama Sport”, ai gjithashtu u shpreh se beson se në Superiore mund të rikthehet në Kombëtare.
“Po ndihem shumë mirë. Nuk e prisja një pritje kaq të mirë, nga stafi, nga lojtarët, nga drejtuesit. Faza ka shkuar shumë mirë. jemi munduar të bëjmë të gjitha detyrat që na ka dhënë trajneri. Besoj se do të bëjmë shumë mirë në raundin e parë. Jam befasuar nga kushtet e mira në klub. Çdo gjë është shumë e organizuar. Lojtarët disa i njihja. Nuk është diçka e re. Jam befasuar shumë nga kualiteti i lojtarëve. Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin ka probleme me klubet financiare dhe brenda natës ndryshon çdo gjë. Besoj se jam goditja e verës. Eksperienca ime në Europë, jo vetëm e imja, por edhe e shumë lojtarëve të tjerë është një gjë shumë e mirë në kampionatin shqiptar. Me Zekiç kam një raport shumë të mirë prej vitesh. Arsyet e tjera janë dhe familjare, por edhe Zekiç ka bërë ato të vetat. Familja është arsyeja më e fortë. Lindja e çunit, doja t’i rrija afër nuses. Në Superiore nuk kam pasur oferta. Në Kroaci kam pasur shumë oferta. Aty kisha diçka konkrete.”
“Është një gjë pozitive që jam këtu, sepse jam më afër ekipit kombëtar. Të bëj ndeshjet më të mira që të bashkohem me Kombëtaren. Kombëtarja ka qenë shumë herë më mirë se në të kaluarën. Formacioni me 5 mbrojtës që bënte Reja nuk ka qenë për ne. Kemi mundësi shumë të mira për në Europian.”