Lojtari italian i tenisit, Jannik Sinner ka arritur një tjetër sukses të madh në karrierën e tij, duke fituar turneun Masters 1000 në Paris dhe duke u rikthyer përkohësisht në vendin e parë të renditjes botërore ATP.
Siç shkruan Corriere Della Sera, ai mposhti kanadezin Felix Auger-Aliassime në dy sete (6-4, 7-6), duke siguruar titullin e 23-të në karrierë dhe të pestin për vitin 2025.
Fitorja në Paris erdhi pas një seri prej 10 fitoreve radhazi në vetëm 13 ditë, përfshirë edhe turneun e Vjenës. Sinner është aktualisht lojtari me përqindjen më të lartë të fitoreve këtë vit: 53 fitore nga 59 ndeshje, me vetëm 6 humbje, 4 prej tyre përballë spanjollit Carlos Alcaraz.
Edhe pse do të mbajë vendin e parë vetëm për një javë, për shkak të pikëve që do t’i hiqen pas ATP Finals, ky moment është i rëndësishëm për moralin dhe vetëbesimin e tij. “Jam shumë i lumtur. Kjo është një periudhë e çmendur. Tani, le të ndodhë çfarë të ndodhë,” tha Sinner pas fitores, sipas Corriere Della Sera.
Turneu i ardhshëm për të është ATP Finalsnë Torino, ku do të garojë për titullin e fundit të vitit dhe një çmim prej 5 milionë dollarësh. Ai do të mbërrijë në Torino të mërkurën, pas dy ditësh pushimi të merituar.
Në ndeshjen kundër Aliassime, Sinner tregoi dominim të plotë, duke e nisur me agresivitet dhe duke mos lejuar asnjë mundësi për rikthim. Edhe pse kanadezi u përpoq të reagojë në setin e dytë, Sinner e mbylli ndeshjen me një goditje të fortë në vijën anësore.
Ekspertët e tenisit vlerësojnë se loja e Sinnerit në ambiente të mbyllura është e pakonkurrueshme, falë shërbimit të fortë dhe reagimeve të shpejta. Me formën që po kalon, ai është një nga favoritët kryesorë për të fituar turneun e Torinos dhe për të mbyllur vitin si kampion.
