Java e kaluar futbollistike u ngjyros e gjitha me ngjyrat bardheblu të Tiranës. Si fillim, 24-herë kampionët e Shqipërisë turpëruan Partizanin me rezultatin 5-1. Një triumf që do mbahet mend gjatë dhe që gjithashtu i lejoi të besuarve të trajnerit Emanuel Egbo të qëndronin në krye të klasifikimit, por edhe të marrin një shtysë të madhe për t’i shkuar deri ne fund objektivit. Atë të shpalljes kampion në fund të sezonit, si një mënyrë për të festuar në mënyrën e duhur 100-vjetorin e klubit.
Ndërkohë, dy ditë para derbit të së premtes, në stadiumin Selman Stermasi u luajt edhe derbi mes Tiranës U 17 e Partizanit U 17. Një ndeshje e vlefshme për finalen e Kupës së Shqipërisë, sfidë e cila ashtu si në derbin e të rriturve u dominua nga bardheblutë që fituan finalen me rezultatin e thellë 4-0. Të besuarit e trajnerit Migen Memelli nuk e vunë për asnjë moment në diskutim suksesin dhe treguan supremacinë, teksa edhe në kampionat janë të shkëputur nga rivalët e tyre.
Sakaq, e ardhmja e Tiranës duket mjaft optimiste, pasi ditën e djeshme në stadiumin Air Albania, këtë herë ishte ekipi U 19 i bardhebluve që triumfoi ndaj moshatarëve të Shënkollit në finalen e Kupës për këtë grupmoshë. Djemtë e trajnerit Bledar Devolli fituan me rezultatin 3-2 duke marrë trofeun në fund të 90 minutave. Ndaj, java e lënë pas ishte një nga ato për t’u shënuar dhe mbajtur mend gjatë, me bardheblutë që e kthyen në festë për të gjithë fansat e tyre të zjarrtë.