Në një kohë që situata politike është mjaft e tensionuar, e sidomos pasditen e të martës, ku nuk mungoi as përdorimi i gazit lotsjellës nga ana e policisë, vijnë dhe këshillat nga mjekët për dëmtimet që pësohen nga përdorimi i tij.
Mjeku infeksionist Tritan Kalo në një status në Facebook teksa sqaron se efektet e gazit lotsjellës janë të përkoshme, shkruan: Shpresoj që këto këshilla mjekësore dhe miqësore njëkohësisht të mos ju nevojiten, por jeta të ve përballë shumë situatave shpesh jo të dëshirueshme ose të pëlqyeshme”.
Madje, mjeku shkon dhe më tej duke këshilluar protestuesit si të mbrohen: Vendosni një shami të njomur thjesht me ujë para gojës dhe merni frymë përmes saj. Në rast se merni pjesë në një manifestim të paralajmëruar, mbani në një qese një napë të njomur me lëng limoni ose uthull dhe përdoreni kur ekspozoheni ndaj gazit lotsjedhës. Një masë e tillë ju jep kohën e mjaftueshme për t’u larguar nga vëndi i përdorimit të gazit-lotsjedhës pa i acaruar organet e frymëmarjes. Syzet që përdoren për zhytje, për skijim, etj, janë një mjet i mirë mbrojtës i syve, Në mungesë të tyre merni frymë brënda teshave tuaja (xheketë, xhup, triko), ku ka edhe një përqëndrim më të pakët të gazit. Sytë i shplani më pas me solucion steril fiziologjik ose thjesht me ujë sa të largohet ndjesia e të krojturit, dhimbjes e djegjes së tyre. Lëkurën e ekspozuar laheni me kujdes me ujë të bollshëm dhe me sapun. Personat që kanë vështirësi serioze në frymëmarje e kanë të nevojëshme përdorimin e Oksigjenit të ofruar nga kryesisht nga Shërbimet e Urgjencave Mjeksore.