Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Foto Dite

Ju tregoj ‘97-ën, ditët e tmerrit në Berat

13:35 / January 25, 201911 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
50799416 2298259337075073 8200229398662610944 n
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Nga ditari i një qytetari berats, Zylyftar HOXHA*
Kanë kaluar plot 22 vjet nga ato ditë marsi të vitit 1997, të atij viti që ka hyrë në historinë shqiptare si një nga njollat më të errëta, si një vit i mbrapasht, si një nga marrëzitë më absurde që mund të bëjë një popull kur drejtohet dhe orientohet keq nga klasa e vetë politike. Mu kujtuan ato ditë tmerri, jo vetëm se nja dy herë i kisha përjetuar vetë, me tytën e automatikut te koka e koburen në ballë nga bandat grabitëse, por më tepër se një miku im më dha një libër që kishte bërë për familjen e tij, t’ia shikoja e t’i ndreqja ndonjë gjë. Në këtë libër unë gjeta një ditar brilant që përshkruante me saktësi e realizëm ngjarjet e ’97-ës në Berat, këtij qyteti të lashtë, të urtë, me vlera të gjithanshme të pakrahasuar me qytetet e tjerë shqiptarë, ndër më të kultivuarit ndër ta, por që ato ditë, çuditërisht, u kthye në një ferr të vërtetë, në të keqen e vetë, me mbi 400 të vrarë, kot nasikoti. 
Por, megjithëse ky qytet u godit keqas atë vit të rrëmujshëm dhe kaotik, e keqja s’gjeti shtrat. Gjërat në Berat u normalizuan shpejt. Se Berati është një qytet civil, i gjerë në shpirt, i dashur, miqësor, me një qytetari të kahershme, 2400 vjeçare, që diti t’i shërojë shpejt plagët e veta, t’i zgjidhë mirë punët e veta, sepse ai s’e ka njohur kurrë kanunin dhe hakmarrjen. Në vend të këtij institucioni, ai ka institucionin e mirëkuptimit dhe të pajtimit. Beratasit e kanë lënë atje ku qe ’97-ën, dhe s’duan t’ua kujtosh. Në respekt të kësaj, edhe miku im nuk do që të vërë emrin në këto shënime, nuk do të ngacëmojë plagë, se sot ai pi kafe me etrit e atyre që më shumë se kriminelë, ishin viktima. Me leje të tij, po paraqis ditarin që ai ka mbajur ato ditë.

Ja ç’shkruhet në të:

14 mars 1997
Më merr djali dhe shoku i tij në telefon, janë shumë të shqetësuar për atë që po ndodh te ne. Për të mos i shqetësuar nuk ua bëra shumë tragjike gjendjen. Më kërkuan të shkoja te nusja e Jokes te lagja “Çlirim” dhe t’i jepja numrin e telefonit të fliste me Joken. Të nesërmen shkova atje. Rruga ishte e qetë, por krismat e pushkëve vinin pa pushim nga të gjitha anët.

27 mars 1997
Ditët kalojnë, por gjendja politike dhe ekonomike sa vjen e rëndohet. Nga fundi i marsit qeveria Meksi dha dorëheqjen, por presidenti jo. Në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme mblidhet parlamenti vetëm me mazhorancën e Partisë Demokratike dhe zgjidhet përsëri Sali Berisha president. Kjo e rëndoi më tepër situatën. Me rënien e qeverisë Meksi u krijua qeveria e Pajtimit Kombëtar, me kryeministër socialistin Bashkim Fino. Por edhe kjo nuk po e merrte dot në dorë situatën. Gjendja ishte shumë e rëndë. Institucionet shtetërore ishin shkatërruar. Për të stabilizuar gjendjen këtu kishin ardhur forcat e KFOR-it, por rendi nuk po vendosej akoma. Komiteti Evropian kishte dërguar në vendin tonë me mision të posaçëm ish-kancelarin austriak, Vranickin, i cili dha një ndihmesë shumë të madhe për zgjidhjen e problemeve. Bandat e rrugaçëve dhe hajdutëve terrorizojnë cilindo që iu mbushet mendja si ditën dhe natën. Ka shumë të vrarë dhe të plagosur.

28 mars 1997
Vete për ngushëllim te shoku im, Hazbi Tarja, ish-komisar i brigadës ku punoja, sepse i kishin vrarë vajzën 22 vjeç. E njihja këtë vajzë, kishte mbaruar për ekonomiste dhe punonte në një firmë. Banditët e vranë në lulen e rinisë pa patur asnjë faj, i vetmi faj i saj ishte se nuk shkoi me ta.

1 prill 1997
Më morën në telefonon nga Italia djemtë, më uruan për ditëlindjen, se mbusha 55 vjeç. U gëzova që më uruan, por çfarë ditëlindje të festoja unë kur djemtë ishin jashtë dhe ne këtu nuk kishim sigurinë e jetës.

5 prill 1997
Vete për ngushëllim te krushku, Z. D., se i kishin vrarë nipin e gruas në Plashnik, 25 vjeç, bashkë me kunatin e tij, për t’i grabitur i vranë të dy. Kjo ishte situata në Berat në këtë kohë. Më keq s’kishte ku të vinte.

27 prill 1997 
Fola me Ladin në telefon, u gëzova shumë që ishte mirë. I them se është vrarë P., djali i një mikut tonë dhe shok i Ladit. U dëshpërua shumë. 
Ladi më kërkoi të iknim nga shtëpia për në një vend të sigurt deri sa të përmirësohej gjendja. Unë nuk pranova dhe u mundova ta bind se nuk kam pse të shqetësohem. Babai i tyre s’ka bërë ndonjë krim që të ketë frikë. Por kërkesa e tij ishte serioze dhe më vonë u bindëm, ndaj në gusht 1998 shkuam me banim në Tiranë.

29 maj 1997
Vete për ngushëllim te një shoku im, L. M., i vranë djalin e vetëm 20 vjeç, ditën që kishte të 40-at djali i xhaxhait të tij, Pitafi. Krimineli këtë ditë vret dy djemtë e vëllezërve të N. M. dhe një të kushëririt të tij. Ngjarje tepër e dhimbshme për këtë familje. Këto ngjarje pasojnë njëra-tjetrën. Kështu komshiut tonë të katit të parë, T. i vranë nipin 25 vjeç në Kuçovë, komshiut të katit të tretë, Th. S. i vranë vëllanë, S., të cilin e kisha shok. Më erdhi keq për të, e vranë banditët pa shkak, duke u kthyer në shtëpi nga një vizitë që u kishte bërë prindërve të tij.

14 qershor 1997
Vete përsëri për ngushëllim te krushku Z. D., se i kanë vrarë nipin tjetër të gruas në Plashnik. Pra brenda dy muajve baxhanakut të tij i vrasin dy djem. Gjendje tragjike në këtë familje. Edhe ne jemi të vrarë shpirtërisht. Për të përballuar këtë gjendje terrori të gjithë u armatosë,
14 qershor 1997
Në familje përjetojmë tmerrin e vërtetë. Në orën 23 banditët i vënë tritol dyqanit të Cecës poshtë dhomës tonë të gjumit në katin e parë dhe shpërthejnë derën për të vjedhur. Sapo kishim rënë në gjumë, kur shpërthen tritoli. U tmerruam.

26 qershor 1997
Zhvillohen zgjedhjet dhe fitoi koalicioni i majtë. Kjo për këtë kohë qe një fitore e madhe, se do të pushonte lufta. Njerëzit ishin të sfilitur, donin paqe. Por ky gëzim ditën e fitores u kthye në tmerr, pasi dualën të gjitha llojet e armëve dhe zbrazeshin drejt qiellit. U shtrimë në dysheme, se mund të kapte plumbi qorr në shtëpinë tënde, madje edhe në krevat. Dhe vërtet kjo ditë pati mjaftë të vrarë e të plagosur në mënyrë aksidentale në Berat. 
Kështu kjo fitore e të majtëve u përgjak me gjak të pafajshmish në Berat.
Pas zgjedhjeve përsëri gjendja ishte në kaos. Kisha dy muaj pa vajtur te nëna në Uznovë, pasi kisha frikë nga banditët se të dilnin të grabisnin në rrugë. Rruga për në Poliçan dhe në Lushnjë ishte në duart e bandave kriminale. Në këto akse rrugore plaçkitej çdo makinë e vogël apo autobus dhe torturoheshin pasagjerët. Kështu vepronte banda e Uznovës në qafën e Çezmës së Thatë në Vodicë, dhe banda e Fier-Sheganit dhe e Karbunarës në Lushnjë. Në Berat vazhdonte marrja e pengjeve për para nga bandat. 
Qeveria e Pajtimit Kombëtar nuk vendosi dot rendin. Kjo gjendje vazhdoi deri nga shtatori, kur policia speciale erdhi në Berat dhe vendosi një farë qetësie. Bandat tani vepronin më në fshehtësi, jo si më parë hapur. Kapja dhe asgjësimi i tyre nuk u bë me një herë, sepse disa pjesëtarë të policisë bashkëpunonin me bandat. Kjo dukej në aksionet që organizoheshin për asgjësimin e bandave, që dështonin, sepse dekonspiroheshin nga vetë policia. Pastrimi i policisë nga të inkriminuarit nuk ishte bërë akoma. Për këtë kishte përgjegjësi qeveria socialiste që po na zhgënjente.
Në fillim të korrikut mblidhet Parlamenti dhe qeveria socialiste me koalicionin merr votëbesimin. Te populli lindin shpresa. Kjo luftë e kishte mbytur popullin në gjak për të ruajtur kolltukët, duke shkaktuar mbi 2000 të vrarë. Vetëm në Berat u vranë mbi 300 veta, kryesisht të rinj. Qindra familje u futën në hasmëri me njëra- tjetrën. Madje dhe lagje të tëra si lagjja “Çlirimi” me lagjen “Kushtrimi”. Mijëra nëna, nuse e motra u veshën me të zeza. Kjo është koha më e zezë që po kalojmë në jetën tonë. Çdo njeri e ka kokën në torbë kudo që ndodhet, në rrugë, në shesh apo edhe në shtëpi.

2 korrik 1997
Isha me dajon tim, po pinim kafe te klubi “Palma” në Berat. Me ne ishin edhe disa të tjerë. Sa filluam kafen, vjen një bandit me shami në kokë. Sa hyn në derë, pa thënë asnjë fjalë heq automatikun nga krahu dhe e zbraz të tërë karikatorin në derë të lokalit. Mbetëm të tërë si të ngrirë dhe nuk folëm asnjë fjalë. Pasi mbaroi karikatorin, qeshi dhe tha: “Po të më kishit thënë ndonjë fjalë, do t’ua kisha drejtuar juve”, dhe u largua duke hipur në makinën e tij. E lamë kafen përgjysmë, paguam dhe ikëm.

5 korrik 1997 
Pasi ishin bërë zgjedhjet dhe kishte fituar qeveria socialiste, isha në Markato për të marrë disa furnizime për në shtëpi. Kthehem dhe kur vij para bashkisë e vranë një djalë para shtëpisë së oficerëve në rrugë. Të gjithë ata njerëz që ishin aty ikën me vrap në drejtim të bashkisë. Unë mbeta aty në vend, tek ai djali që s’ia mësova dot emrin dhe tepër i tronditur shkova në shtëpi.
Në këto ditë terrori kisha porosi nga një shokë për një mikun tim që banonte në lagjen “Çlirim”. Vete paradite dhe kryej porosinë. Futem një lokal që është afërsisht përballë bustit të Heroit të Popullit Hajdar Tafa. Aty pash një shokun tim ish-oficer me detyrë të rëndësishme, ishte vetëm në tavolinë dhe ishte dehur tej mase. Më pa në derë dhe u ngrit në këmbë të më ftonte në tavolinë. Mbeta në dilemë, të ulesha apo të mos ulesha. Tani ky ish-oficeri ishte babai i një krimineli shumë të rrezikshëm në Berat, që ishte vrarë para disa ditësh në përpjekje midis bandave. Para se të vritej vete terrorizon vëllanë dhe nipin e dhëndrit tim në lagjen “Çlirim” për tekat e tij. Por nuk i vrau dhe u largua. Atë ditë u përlesh me bandën kundërshtare dhe u vra. Shpëtoi populli nga ky kriminel. Një pjesë e klientëve që ishin në lokal po më shikonin se çfarë do të bëja. Vendosa dhe u ula. “Tani jam një hiç, që të gjithë më shikojnë me përbuzje, më tha. Askush nuk ulet me mua në tavolinë. Më quajnë edhe mua kriminel, por ti më njeh mirë se kush jam. Unë nuk kam patur pushtet mbi fëmijët e mi. Ata i komandonte ime shoqe, që ti i di problemet e mia me të. Dy herë kam dashur ta ndaj, por ju s’më kini lënë. Dhe ja ku arrita. Unë tani jam babai i kriminelit. Të tërë më përbuzin. Sa tha kështu, mbushi sytë me lot. Më erdhi keq, se tha një të vërtetë që me gruan s’i kishte patur punët mirë, dhe partia nuk e lejoi ta ndante. Unë i kisha vajtur edhe në shtëpi për t’i zgjidhur problemet e tij familjare, dhe përkohësisht i zgjidhëm. Por jeta është e gjatë dhe problemet janë të shumta. Fëmijët ishin lidhur me nënën dhe nuk e respektonin babanë. Ata u pleksën me shoqëri të keqe, duke përfunduar në kriminelë. 
U mundova ta qetësoj dhe u ngrita nga tavolina për të ikur.

20 gusht 1997
Jetuam prapë një ditë tjetër tmerri. Sot, rreth orës 23.30, vijnë pesë banditë me skodë para shtëpisë tonë. Dy nga këta bënin roje me automatik dhe tre të tjerë ngjiten në katin e katërt të pallati përballë shtëpisë tonë, shpërthyen derën dhe ngarkojnë plaçkën. I zoti i shtëpisë nuk banonte aty. E ndiqnim këtë skenë nga dritarja jonë pa dritë, me frikën mos vinin edhe te ne. Në orën 3 të natës u larguan me skodën plot me plaçka nga rruga kryesore e lagjes “30 Vjetori”. Pra hajdutët ishin të lagjes tonë.

27 gusht 1997
Në Berat vijnë forcat speciale nga Tirana dhe bëjnë disa goditje të bandave, filloi të qetësohej disi situata. Njerëzit filluan pak nga pak të dilnin për shëtitje dhe të hapnin dyqanet.

1 janar 1998
Vitin e Ri 1998 e festuam përsëri nën breshërinë e armëve. Në orën 24 kur bëhet ndërrimi i vitit u detyruam të shtrihemi për tokë në shtëpi, sepse jashtë u ndez toka flakë. Politika është akoma e pafuqishme, qeveria socialiste nuk po e vendos dot rendin, po na zhgënjen.

25 shkurt 1998
Në Berat ndodh një tragjedi e madhe. Altin Dardha vret pesë vetë të pafajshëm dhe plagos disa të tjerë në një klub të lagjes “30 Vjetori”. Kjo ngjarje qe tepër tronditëse. Krimi edhe gjatë muajve të parë të këtij viti është akoma në rritje. Shteti nuk ndihet, drejtësia është e korruptuar. Edhe ata kriminelë që i kap policia, i lëshon drejtësia me pretekstin se s’kemi prova. Kështu që ligjin e bëjnë akoma bandat.

15 mars 1998
Vete për ngushëllim te L. M, sepse nga ata pesë të vrarët e Altin Dardhës ishte edhe kunati i tij, vëllai i F.

*Marrë nga profili në Facebook i gazetarit dhe publicistit
Zylyftar HOXHA

  • 50226209 2298259420408398 843465378603466752 o
  • 50612243 2298259127075094 2529107233304739840 n
  • 50813555 2298259557075051 4349535753143844864 n

Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Në lojë ishin 1 milion Euro, ky është biznesmeni që u kërcënua për vdekje

11:52 / April 10, 2023

Berati destinacioni i 400 mijë turistëve në 2022

14:35 / January 3, 2023

Rusët zbukurojnë sheshin për Krishtlindje me ushtarë prej akulli

12:10 / December 20, 2022

Mati, destinacion turistik i paeksploruar. Njihuni me Urën e Vashës (Video)

09:00 / March 26, 2022
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.