Ëndrra e madhe dhe nevoja e madhe. Aty në mes, “Zonja e Vjetër” nuk e ka harruar kurrë Pol Pogbanë.
“Italia është shtëpia e dytë e Pogbasë. Nuk do t’i vinte keq të rikthehej te Juve, por është herët për të folur”, tha menaxheri Mino Raiola nga “San Siro” të enjten.
Mund të jetë shpejt, por superagjenti nuk i lëshon kurrë rastësisht fjalët në ajër. Qëllimi është t’i pasohej topi “Zonjës”. Juventusi po e vlerëson operacionin 360 gradë si nga ana teknike, ashtu edhe nga ajo e biznesit. Një lojtar që anglezët e blenë 4 vite më parë për 110 milionë euro.
Por “Gazzetta dello Sport” ka bërë një llogari se sa do të mund të kushtonte sot riblerja nga United e një lojtari, që fiton 14 milionë euro neto në sezon në “Old Trafford”dhe ka edhe një kontratë deri në vitin 2021 me klauzolën e rinovimit edhe për një tjetër vit. Pas një muaji, ai do të festojë 27-vjetorin. Ideja që italianët të paguajnë një vlerë mbi 100 milionë euro për kartonin e francezit duket e vështirë.