Kalaja e Argjiros vijon të mbetet një nga monumentet më të vizituara në Shqipëri. Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, ajo është vizituar nga rreth 100 mijë turistë, duke konfirmuar interesin në rritje për Gjirokastrën si një nga destinacionet kryesore të turizmit kulturor.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Ardis Duka, tha se numri i vizitorëve ka shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas tij, pjesa më e madhe e vizitorëve janë turistë të huaj, të ardhur nga vende të ndryshme të botës, duke e kthyer Gjirokastrën në një nga destinacionet më të preferuara për turizmin kulturor.
Ndërkohë, krahas fluksit të vizitorëve, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore po vijon punën për mirëmbajtjen dhe restaurimin e pjesëve të kalasë që kanë nevojë për ndërhyrje, me synimin për të ruajtur vlerat historike dhe arkitekturore të këtij monumenti.
E ndërtuar mbi kodrën që mbikëqyr qytetin, Kalaja e Argjiros është një nga fortesat më të mëdha në Ballkan dhe simboli më i rëndësishëm i Gjirokastrës. Gjatë vitit 2025, ajo u vizitua nga 307,164 turistë, duke u renditur si monumenti më i vizituar në vend.
