Fabio Kapelo shprehet i sigurt se këtë sezon në Serinë A, ekipi për t’u mundur do të jetë Interi. Sipas trajnerit italian, zikaltërit kanë një grup të zgjeruar lojtarësh dhe gjatë kampionatit kjo mund të jetë thelbësore. Ndërkaq, Kapelo thekson se Juventusi ka shumë sulmues dhe do jetë e vështirë t’i menaxhojë.
“Ka një skuadër për t’u mundur dhe është Interi. Nuk shiti lojtarët dhe tashmë është me një formacion të dubluar. Kjo do të thotë se do të jetë gjatë gjithë kohës kompetitive. Juventusi nuk e luajti një test të rëndësishëm si ai ndaj Napolit. Do të ketë problemin për të menaxhuar sulmuesit e shumtë që ka në organikë dhe duhet parë sa kohë duhet që të shohim Juventusin e Pirlos.
Lufta për titull është mes këtyre dy skuadrave. Por, me rrezikun Atalanta, të cilën eksperienca ndërkombëtare e ka bërë të ndërgjegjshme për forcën që ka dhe falë trajnerit Gasperini shpreh një futboll europian. Atalanta ka mbajtur grupin, ndërsa presim edhe Iliçiç, i cili është nga ata që bëjnë diferencën. Edhe Napoli nga ana tjetër mund të jetë e rrezikshme, pas këtyre vendos Romën dhe Milanin. Lacio? Besoj se është ngadalësuar pas koronavirusit”, u shpreh Kapelo.
