Rritje a çmimeve të karburanteve unanimisht nga të gjitha kompanitë që operojnë në treg, duket se ka sjellë shqetësim për Autoritetin e Konkurrencës. Këta të fundit kanë nisur hetim në lidhje me situatën e krijuar.
“Konkurrenca” shpjegon se rritja e çmimi u rrit unanimisht dhe ka indikator që mund të jetë bërë me një marrëveshje të ndaluar. Me fjalë të tjera kompanitë e tregtimit të karburanteve janë marrë vesh mes tyre ashtu siç bëjnë kartelet, duke rënë dakord për rritjen e çmimeve.
“Çmimet janë të rëndësishme. Ne kemi vendosur prej një jave monitorimin e tregut të hidrokarbureve, pra indikatori ishte rritja e menjëhershme në unison e çmimit, mund të jetë një nga indiciet e një marrëveshje të ndaluar, mund të jetë e ndikuar nga tregjet e jashtme, prandaj kemi vendosur hetimin për një periudhë që të jetë sa më e shpejtë brenda kapaciteteve tona”, tha kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba.
Çmimet e karburanteve kanë shënuar një tjetër rritje ditët e fundit, për herë të gjashtë radhazi në vetëm pak muaj. Shqiptarët janë duke u përballur me nivele rekord të çmimit të karburanteve. Aktualisht, një litër naftë po shitet mesatarisht me 196 lekë për litër, ndërsa një litër benzinë 198 lekë për litër.
Në çdo rast, kur kërkohen shkaqet e shtrenjtimit të karburanteve në vend, gishti drejtohet nga tregu ndërkombëtar dhe fjala magjike e justifikimit është “bursa”.
Për çdo litër naftë të blerë sot, paguhen rreth 102.8 lekë/ litër taksa dhe 91 lekë/ litër kosto fillestare të karburantit.
