Presidenti Ilir Meta ka zgjedhur të japë një nga mesazhet e vyera të Nënë Terezës në ditën e saj të shenjtërimit, ku thotë se “dashuria nuk mund të mbetet vetëm”.
Meta thotë se Shën Nënë Teresa është një frymëzim që na nxit çdo ditë për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe.
Postimi i Metës
Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës është një ditë feste për mbarë kombin shqiptar, botën katolike dhe njerëzimin.
Është dita e përkujtimit dhe respektit ndaj veprës së ndritur dhe të paharruar, humane e hyjnore, të simbolit të nënës shqiptare, shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë dhe misionit të pareshtur të përkujdesjes, ndaj kujtdo që vuan dhe ka aq shumë nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale.
Me madhështinë e thjeshtësisë së saj, Shën Nënë Tereza është frymëzimi që na nxit çdo ditë për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe, për të hapur horizonte të reja shprese dhe lumturie, për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, sociale, e pranë halleve të përditshme të qytetarëve.
Ashtu siç na porosit e bekuara dhe e Shenjta Nënë Terezë:
“Dashuria s’mund të mbetet vetëm. Dashuria duhet të vendoset në veprim dhe ky veprim është shërbimi. E djeshmja iku. E nesërmja nuk ka ardhur. Ne kemi vetëm të tashmen. Le të fillojmë!”
