Teknologjia e komunikimit dhe informacionit, sa vjen dhe zhvillohet drejt programeve dhe strategjive të reja, në mënyrë që të sigurojë stabilitet, efikasitet dhe produktivitet në të gjitha proceset e biznesit. Sot shumica e operacioneve dhe transaksioneve të biznesit janë të automatizuara, dixhitalizuara dhe të përfshira në teknologji.
Kërkesa e tregut për profesionistë në këtë fushë vetëm sa vjen e rritet, pasi ky sektor ofron pagat më të larta dhe mundësitë më të mira të avancimit në profesion.
Sipas raportit të publikuar nga INSTAT, gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti, numri i të punësuarve në këtë sektor u rrit me 5,5%, krahasuar me tremujorin e parë 2020, ndërsa fondi i pagave u rrit me 4 herë.
Edhe shitjet neto në volum u rritën me rritje 4,8 %, krahasuar me tremujorin e parë 2020.
Punët në fushën e teknologjisë me më së shumti perspektive janë zhvillimi i aplikacioneve mobile, administrues i të dhënave, zhvillues i web-t, administrues i rrjeteve, inxhinier softuerik, apo edhe specialistët për sigurinë.
Për të nxitur këtë sektor qeveria ka incentivuar sektorin e Teknologjisë dhe Inovacionit (TIK), duke ulur tatim fitimin nga 15% në 5% për kompanitë që ushtrojnë aktivitet në sektorin e prodhimit/zhvillimit të software.
