Drejtuesit e skuadrës verilindore të futbollit kanë emëruar trajnerin e ri të skuadrës. Mësohet se ai do të jetë Klevis Hima, ish ndihmës trajneri i skuadrës së Laçit. Hima vjen në pankinën matjane pas një përvoje mbi 7 vjeçare te skuadra e Superiores.
Ai mban diplomën Uefa Pro dhe ka spikatuar me profesionalizmin e përkushtimin e tij si specialist futbolli.
“Me teknikun Klevis Hima është biseduar edhe në fillim të sezonit por “palët” nuk janë dakortësuar. Ndërkohë pas largimit të Bubeqit zyrtarët e KF Burreli janë ritakuar me Himën dhe ai ka pranuar detyrën si trajner i skuadrës matjane, një detyrë kjo sa e bukur dhe delikate.
Hima është një specialist punëtor, i zellshëm dhe ka patur fatin të punojë me trajnerë të spikatur të futbollit shqiptar”, bënë me dije burime pranë ekipit. Ditën e shtunë, në mjediset e stadiumit “Liri Ballabani” do të bëhet prezantimi i teknikut Klevis Hima nga autoritetet e klubit matjan.