Shqipëria dhe Kosova do të humbasin lojtarë për ndeshjet e përfaqësuesve të marsit nëse zyrtarizohet vendimi që kanë marrë klubet franceze të dy kategorive të para. Klubet nuk duan të lënë të largohen futbollistët për takimet e marsit nëse ata nuk i përkasin një vendi të BE dhe ky urdhër godet përfaqësueset e të dy vendeve.
Sipas “L’Equipe”, klubet në dy kategoritë e para të Francës kanë qarkulluar mes tyre për të firmosur një vendim i cili saktëson se asnjë nga lojatrët që nuk i përkasin kombëtareve vendeve të Bashkimit Europian, nuk do të lejohet të largohet në mars për të luajtur kualifikueset e Botërorit. Kjo bëhet për shkak të situatës me COVID-19 dhe kufizimeve apo rregullave të karantinës që po aplikohen në vende të ndryshme.
Në listën e Shqipërisë nga kampionati francez duhej të grumbullohej Qazim Laçi, i cili luan me Azhakso në kategorinë e dytë franceze. Ky është një futbollist i cili në të kaluarën ka luajtur me rregullsi në radhët e kuqezinjve e që do të ishte një problem më vete për Rejan i cili ka humbur Abrashin për dëmtim e ka Gjasulën në një formë jo optimale. Ndërkohë, Kosova humbet Arbër Zenelin, Valon Berishën dhe Bersant Celinën, të tre potencialisht titullarë në radhët e kësaj përfaqësueseje.
