Komisioni hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit Ilir Meta ka miratuar sot planin paraprak të hetimit, por krahas tij u propozua t’i kërkohet opinion Komisionit të Venecias lidhur me shkeljet kushtetuese të Presidentit.
Sipas propozimit të deputetes socialiste Klotilda Ferhati kur ka ardhur çështja për Kushtetutën, në traditën e Kuvendit shpesh herë ‘i jemi drejtuar dhe Komisionit të Venecias’. Dhe pse deputetët ranë dakord, ata të opozitës së re në komision thanë se kjo do të kërkonte më shumë kohë për komisionin derisa të kthejë përgjigje ky organ.
Komisioni i Venecias vihet në lëvizje nga këto organizma, Parlamenti, qeveria dhe krerët e shteteve. Ndërsa nga Këshilli i Europës, nga sekretari i përgjithshëm, Komiteti i ministrave, Asambleja parlamentare, Kongresi i Autoriteteve rajonale Lokale. Kurse nga organizatat ndërkombëtare mund të vihet në lëvizje nga Bashkimi Europian, OSCE/ODIHR dhe organizata të tjera që janë të përfshira në punën e komisionit.
Ndërkohë deputetët e opozitës kërkuan edhe ndryshim në rregulloren e brendshme, në pikën 24 të tij, ku kërkuan që në fund të ketë dy raporte, pasi ata të opozitës nuk mund të jenë dakord për të gjitha që do të thotë maxhoranca. Por kreu i komisionit Ulsi Manja tha se në bazë të nenit 22 të rregullores për komisionet në raportin përfundimtar do të përfshihen dhe mendimet e opozitës.