Për finalen e Ligës së Konferencës do të vijë një numër i madh tifozësh të huaj dhe jo të gjithë mund ta ndjekin ndeshjen në stadium, i cili do të mund të akomodojë rreth 19.500 persona. Kush do të hyjë brenda “Air Albania” do t’i nënshtrohet një kontrolli të rreptë.
Për futjen brenda në stadium, duke nisur nga ora 18:00, ashtu si në të gjitha finalet e UEFAs, tifozët do të jenë të pajisur me një biletë elektronike. Çdo person që ka biletën, e disponon atë në telefonin e tij inteligjent dhe kjo biletë është e pajisur me një “QR Code”, i cili aktivizohet në pjesën e jashtme të stadiumit dhe në pjesën e brendshme të stadiumit bëhet i vlefshëm. Çdo tifoz, me këtë biletë është i sigurt që mund të hyjë. Duke qenë elektronike, kjo biletë as nuk mund të kopjohet dhe as nuk mund të falsifikohet.
Tifozët nuk duhet të kenë çanta më të mëdha se formati i një letre A4 dhe për këtë qëllim do të vendosen dy vende depozitimi çantash, ku njëra do të qëndrojë tek Universiteti Politeknik dhe tjetra te hotel “Rogner”, ku do të ketë vullnetarë që do të kujdesen për këtë pjesë dhe tifozët mund t’i rimarrin pas ndeshjes. Gjëra të tjera që tifozët nuk duhet të kenë me vete janë fishekzjarrët, dritat lazer, shishet e ujit ose pije të tjera.