E gjithë bota i është dorëzuar koronavirusit dhe i ka bërë të ndryshojnë mënyrën e të jetuarit. Veçanërisht Italia është e mbyllur e gjitha nëpër shtëpia dhe askush nuk guxon të dalë. Gjithsesi, “komshinjtë” përtej Adriatikut Covid-19 i goditi rëndë dhe prej javësh numri i të prekurve dhe viktima sa vjen e rritet.
Futbolli sigurisht që është ndalur, por ç’është më shqetësuese, çdo ditë e më shumë shtohen futbollistët e prekur me koronavirus. Së fundmi Covid-19 është “parkuar” edhe në klubin e Fiorentinës. Dy lojtarë dhe fizioterapisti kanë shfaqur simptomat e Covid-19 dhe më pas u janë nënshtruar testeve, që kanë dalë pozitive.
Zherman Pezela dhe Patrik Kutrone janë infektuar me virusin e rrezikshëm, ndërkohë që edhe fizioterpasiti i ekipit, Stefano Danieli ka shfaqur simptomat e njëjta. Të tre janë karantinuar të veçuar nga çdo person tjetër dhe po marrin asistencën e nevojshme nga mjekët. Gjëndja shëndetësore e tyre shfaqet e mirë.
