Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë ka publikuar listën preliminare me 13 227 viktima të luftës, ku përfshihen të vrarët, personat e zhdukur me dhunë dhe ata që humbën jetën si pasojë e plagëve të marra gjatë luftës.
Sipas raportit, në listë janë përfshirë personat që kanë lindur, jetuar ose kanë pasur vendbanim në Kosovë gjatë luftës dhe që janë vrarë, janë zhdukur ose kanë humbur jetën si pasojë e drejtpërdrejtë e ngjarjeve të lidhura me luftën.
Të dhënat tregojnë se 11 408 persona u vranë si rezultat i drejtpërdrejtë i veprimeve të luftës, përfshirë vrasje, ekzekutime, masakra, bombardime dhe forma të tjera të dhunës. Mes viktimave janë edhe 1 047 fëmijë.
Raporti evidenton gjithashtu se 1 578 persona rezultojnë ende të zhdukur me dhunë, ndërsa për 241 persona thuhet se humbën jetën gjatë ose pas luftës si pasojë e plagëve dhe dëmtimeve të marra gjatë konfliktit.
Lista përfshin viktimat e periudhës 1 janar 1998 – 20 qershor 1999, si dhe ato të periudhës së pasluftës, nga 21 qershori 1999 deri më 31 dhjetor 2000.
Drejtori i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, Atdhe Hetemi, deklaroi se lista do të përditësohet në vazhdimësi, në përputhje me procesin e dokumentimit të krimeve.
“Të dhënat tregojnë se gjatë periudhës së luftës janë vrarë 92.5 për qind e numrit të përgjithshëm të viktimave, ose 12 230 persona. Ndërsa në periudhën e pasluftës, nga 21 qershori 1999 deri më 31 dhjetor 2000, janë vrarë 997 persona”, u shpreh Hetemi.
Gjatë prezantimit të raportit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë të shtojnë presionin ndaj Serbisë për hapjen e arkivave ushtarake, me qëllim zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.
Ndërkohë, kërkimet në varrezën masive në Kalludër të Zubin Potokut kanë vijuar për të dytën ditë radhazi. Autoritetet kanë konfirmuar gjetjen e mbetjeve mortore, për të cilat dyshohet se mund t’u përkasin 23 intelektualëve të Mitrovicës, të zhdukur në prill të vitit 1999. Për këtë çështje, pak ditë më parë janë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në këtë krim lufte.
