Tre liderët shtetërorë të Kosovës kanë nënshkruar aplikimin për anëtarësim e Kosovës në Bashkimin Europian. Në një ceremoni zyrtare, nënshkrimin e dokumentit të aplikimit, e kanë bërë presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti.
Osmani tha sot se është ditë historike për vendin, është moment historik aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“14 dhjetori ka rëndësi të dyfishtë për historinë e Kosovës. Në njërën anë po aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në anën tjetër po shënojmë përvjetorin e themelimit të ushtrisë sonë. Dy akte që shkojnë në drejtim të realizimit të vizionit tonë, integrimit euro-atlantik”, tha ajo.
Presidentja Osmani tha se ky është një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës kolektive dhe ambicies sonë të patjetërsueshme. Kurse Kurti u shpreh se e ardhmja e Kosovës është unioni. Kreu i qeverisë u shpreh se Prishtina do bëjë ç’është e mundur për progresin dhe përkushtimin e reformave të reja transformuese që përkojnë me BE.
“Bazuar në aspiratat e vullnetit të vendit tonë për barazi, drejtësi e demokraci. E ardhmja e vendit tonë është brenda BE. Sot po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes dhe prosperitetit në Evropë, BE. Do ja dorëzojmë presidencës Çekë në prag nënshkrimin e sotshëm. Progresi do varet nga përkushtimi ynë për reforma të reja transformuese. Do ecim përpara në meritën tonë. Pengesat dhe sfidat drejt anëtarësimit i kalojmë me progres shoqëror dhe rend demokratik”.
