Gjatë një dalje për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca u shpreh sot se kriza ekonomike ka prekur edhe këtë sektor, por ajo hodhi poshtë faktin se fabrikat e prodhimit të qumështit janë në prag falimenti.
Po ashtu, Krifca theksoi se rritja e çmimit të qumështit do të ndikojë për mirë tek fermerët. Lidhur me imputet bujqësore, ministrja tha se janë të varur nga çmimet ndërkombëtare dhe kjo është e pashmangshme. Më tej, ministrja tha se fermerët shqiptarë mbulojnë 95% të nevojave të vendit me qumësht dhe se ka shumë pak import.
“Kriza ka prekur dhe bujqësinë. Jemi përballë rritjes së çmimeve të imputove. Qeveria u është gjendur fermerëve këtë vit si asnjëherë tjetër me buxhetin më të madh të vënë ndonjëherë në dispozicion.
Sa i takon imputeve bujqësore ne jemi fatkeqësisht të varur nga çmimet ndërkombëtare. Gruri ka nevoja për ujitje dhe kemi bërë investime të qenësishme. Sot ne kemi fabrika përpunimi të qumështit, që kanë standarde ndërkombëtare. Sjellin produkte cilësore.
Çmimi i fermerëve është rritur siç janë rritur edhe çmimet e tjera. Më vjen mirë që çmimi për ta është rritur. Ne plotësojmë 95% të nevoja të vendit për qumësht. Nuk kam dijeni se fabrikat janë në rrezik. Hap pas hapi aty ku ka nevojë të mbështete sektori jemi këtu. Duhet të shikojmë parashikimin e mbjelljeve. Nuk kemi indikatorë që po prodhohet më pak”, u shpreh ajo.
Sot, Krifca publikoi edhe një urdhër sa i takon ruajtjes së niveleve të kapjes së peshkut krap. Ministrja deklaroi se tani është periudha e shumimit të krapit nëpër liqene dhe nuk duhet gjuajtur pasi kjo dëmton këtë lloj peshku.
