Nuk ka zgjidhje nga jashtë ka qenë përgjigja e Lulzim Bashës pas takimit me Voltana Ademin, ku u pyet nga mediat se si do të zgjidhet kriza.
“Nuk ka zgjidhje nga jashtë, zgjidhjet vijnë nga brenda, nga jashtë do të kemi miq, por kriza nuk zgjidhet duke bërë viktimën, apo duke parë nga qielli, por duke u bashkuar, duke marrë fatin tonë në duar”, tha Basha.
I pyetur nëse do të ketë marrëveshje me PS, Basha deklaroi: “Prioritet është t’i japim fund krizës politike, kapjes së institucioneve, sot vendi ka shpresë, pa protestat e opozitës vendi nuk do të kishte shpresë”.
Opozita është e vendosur për zgjidhjen totale të krizës tha më tej Basha. ““Cdo kryetar bashkie në qarkun e Shkodrës ka lidhje kriminale ose rekorde kriminale, cdo kandidat i Ramës në 30 qershor është me rekorde dhe këtë e dinë gjithë malësorët, nuk ka lajm këtu. Ky nuk është përjashtim, nuk është vetëm Shkodra përjashtim, situata dominon në gjithë vendin, janë me dhjetëra kandidatë që janë me rekorde kriminale. Është përgjegjësitë jonë për ta nxjerrë vendi nga kjo krizë. Ne si opozitë, të bashkuar kemi përgjegjësinë për ti dhënë shqiptarëve zgjidhjet që meritojnë dhe duhet për ta nxjerrë vendin nga kriza, kriza është prodhuar nga bashkëpunimi i politikës me krimin dhe kriza zgjidhet duke e ndarë këtë, ndarje pa proces zgjedhor nuk ka, proces pa transformim të thellë politik nuk mund të ketë. Betejë deri në fund, për të çliruar vendin nga politika e lidhur me krimin. Jemi të vendosur ti japim zgjidhjen shqiptarëve dhe me platformën që do të paraqesim para qytetarëve në dialog me ta, bashkë me zgjidhjet që do të parashtrojmë do të sigurohemi që rruga e zgjidhjes së krizës të jetë sa më e shkurtër, ka një zgjim të madh brenda e jashtë vendit. Triumfi i të mirës mbi të keqen nuk do të vonojë, Shkodra ka qenë e mbetet simbol i pathyeshmërisë para të keqes, triumfit të vlerave mbi antivlerat”- tha ai.
