Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi shprehet pro dialogut me shumicën e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, por që sipas saj të jetë gjithpërfshirës dhe transparent. “Sot nuk është momenti i dekoratave si ato të 2018-ës, as për shampanjë apo euforizëm politik. Tani është koha ku gjithsecili nga ne duhet të marrë përgjegjësi përballë sfidave reale të vendit dhe përballë qytetarëve. Nëse duam vërtet që negociatat të çelen vitin që vjen, atëherë duhet të ndalim një herë e mirë propagandën politike dhe t’i japim qytetarëve shansin për një Shqipëri evropiane.
Me përgjegjshmërinë, që duhet të kemi para tyre, kam shprehur prej kohësh bindjen e LSI-së për institucionalizimit e dialogut mes forcave politike në vend.
Jo dialog për interesa individësh dhe karrigesh të pushtetit, por dialog transparent për qytetarët, gjithëpërfshirës e të sinqertë në shërbim të shqiptarëve dhe që lehtëson hallet që rëndojnë mbi ta. Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë të jenë pjesë e Evropës së Bashkuar“, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së ka komentuar sërish vendimin e Gjermanisë për t’i dhënë dritën jeshile Shqipërisë për negociatat. Pavarësisht vendimit të Berlinit, që është një hap mjaft pozitiv, Kryemadhi mendon ndryshe duke e cilësuar si një semafor të kuq për Edi Ramën.
