Prej një jave, portali online “e-albania” është shndërruar në sportelin e vetëm të aplikimeve për të gjitha llojet e pensioneve dhe shërbimeve të tjera të skemës së sigurimeve shoqërore. Në ndihmë të qytetarëve, autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore kanë vijuar të detajojnë procedurat e njëpasnjëshme që duhet të ndiqen për të bërë aplikimet online për të gjitha llojet e pensioneve. Një ndër to është edhe plotësimi i kërkesës paraprake për pensionin e pleqërisë. Plotësimi në kohë i kësaj kërkese nuk do të vonojë asnjë ditë marrjen e pensionit të pleqërisë nga personi përfitues. Ky shërbim ju ofron mundësinë për të aplikuar online paraprakisht për përfitim pensioni pleqërie, ndërkohë që nuk do të duhet të qëndroni më në radhë, apo të paguani për këtë procedurë.
Çdo qytetar ka të drejtë të aplikojë paraprakisht për pensionin e pleqërisë, kur plotëson kushtet sa i takon moshës dhe vjetërsisë kontributive të përcaktuar. Plotësimi i kërkesës paraprake nuk është i detyrueshëm dhe nuk ju shmang nga plotësimi i kërkesës për përfitimi pensioni pleqërie, por rekomandohet të plotësohet në mënyrë që aplikuesi të mos rrezikojë zgjatjen në kohë të marrjes së pensionit në momentin që i lind e drejta e përfitimit. Koha nga dorëzimi i kërkesës deri në momentin e lindjes të së drejtës, është e nevojshme që specialistët tanë të verifikojnë në kohë dokumentacionin për përfitim. Personi i interesuar duhet që nga 1 deri në 12 muaj para se t’i lindë e drejta për përfitim, të paraqesë kërkesën paraprake”, bëjnë me dije autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara të gjitha hapat që nga hyrja në portal, plotësimi i formularit me të dhënat e përcaktuara për secilën pjesë të tij, si dhe dokumentet që duhet të ngarkoni gjatë aplikimit online dhe dorëzimit fizik të tyre.
Sikundër ndodh edhe me shërbimet e tjera të kësaj skeme, aplikimet do të jenë të vlefshme vetëm në rastet kur dosja e dokumenteve të përcaktuara, do të dorëzohet edhe pranë strukturave përkatëse të agjencive apo drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore, në të cilën bëhet aplikimi për lidhjen e pensionit. Me ndryshimet e bëra, për dorëzimin e dosjes nuk do të duhet më të shkoni vetë pranë strukturave rajonale të sigurimeve shoqërore. Prej datës një maj, dorëzimi i dosjes së dokumenteve të përcaktuara, jo vetëm në rastin e aplikimit për pensionin e pleqërisë, por edhe për të gjitha shërbimet e tjera të skemës së sigurimeve shoqërore, mund të bëhet lehtësisht nëpërmjet shërbimit postar të zyrave të Postës së Shqipërisë.
Autoritetet e sigurimeve sqarojnë më tej se me të gjithë personat e siguruar, që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar, ndërsa nënat, që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension pleqërie kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim.
Skema lejon që personat e siguruar të mund të aplikojnë edhe për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar në nenin 92 të ligjit të sigurimeve shoqërore. Ky përfitim jepet vetëm kur këta persona kanë plotësuar vitet e sigurimit, si dhe nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Duhet të dini që pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë, është 0,6 për qind në muaj.
Llogaritja e pensionit të pleqërisë
Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.
Po sipas kushteve të diktuara nga ligji për sigurimet shoqërore, çdo person i siguruar, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie, mund të marrë një shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes.
Ja si duhet të plotësoni kërkesën paraprake për pensionin e pleqërisë:
Identifikohuni si qytetar në portalin qeveritar www.e-albania.al
Zgjidhni shërbimin “Kërkesë paraprake për përfitim pensioni pleqërie”.
Klikoni butonin “Përdor”.
Plotësoni formularin përkatës dhe dërgoni aplikimin.
Formulari është i ndarë në tre pjesë:
Fillimisht ju duhet të zgjidhni DRSSH dhe ALSSH ku do aplikoni.
Numri dhe data e regjistrimit plotësohen automatikisht nga sistemi.
Pjesa e parë ruan të dhënat e gjeneraliteteve tuaja.
NID plotësohet paraprakisht në momentin, që ju hyni në portal me kredencialet tuaja.
Duke klikuar butonin “Merr detaje nga regjistri”, automatikisht plotësohen edhe fushat e tjera me të dhënat tuaja nga gjendja civile.
Fushat që ngelen bosh, jeni të detyruar t’i plotësoni manualisht.
Në pjesën e dytë, duhet të zgjidhni arsyet dhe llojin e përfitimit.
Ky shërbim elektronik është i vlefshëm vetëm për pensionin e pleqërisë.
Në pjesën e tretë duhet të deklaroni periudhën tuaj të sigurimit dhe zgjidhni dokumentet që keni për të dorëzuar.
Ju duhet të dërgoni dokumentet origjinale me postë pranë DRSSH përkatëse.
Ju mund ta ruani formën si projekt, për të vazhduar në një moment tjetër ose mund ta dërgoni menjëherë për procesim në serverin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Dosja e dokumenteve që duhet për aplikim
Dokument identifikimi.
Kartë Identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portal).
Fotokopje e kartës së identitetit ose certifikatë lindjeje personale.
Certifikatë familjare.
Certifikatë martese (për mbiemrin para martese për kërkueset femra).
Fotokopje e librezës së punës.
Diplomën e shkollës së lartë (për femrat).