Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe pse situata në vend është kritike, ai ka udhëtuar drejt Bratisllavës ku do të marrë pjesë në konferencën për sigurinë globale, Globsec. Tashmë Kurti ka arritur në ambientet ku po mbahet kjo konferencë, dhe kjo është bërë e ditur në një postim në Twitter nga Globsec. Edhe pse më herët prania e tij në këtë ngjarje ishte në dyshim për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka mbërritur në Forumin #GLOBSEC2023 Bratislava. Dëgjojeni atë më vonë në një bisedë me titull: Në qendër të vëmendjes: Ardhmëria e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kurti kishte shtyrë pjesëmarrjen e tij në këtë konferencë, pas situatës në veri. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se për shkak të zhvillimeve në vend është shtyrë pjesëmarrja e kryeministrit Kurti.
“Ka qenë e planifikuar që të shkojë. Por, për shkak të zhvillimeve në vend është shtyrë pjesëmarrja. Nuk është definitive ende nëse do të marrë pjesë ose jo”, tha Kryeziu.