Besmir Hakballa, është dhëndrri i Tan Kateshit, një prej kapobandave të vitit 1997, që operonte në zonën e Peqinit. Hakballa është një person që mban mbi shpinë në ngjarje të rëndë që ka ndodhur në kohën që i plagosuri, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën tek Spitali i Traumës, ishte vetëm 18-vjeç.
Bëhet fjalë për atentatin e vitit 2008, që e ktheu bulevardin në qendër të Peqinit në një poligon qitjeje. Hakballa, së bashku me dy miqtë e tij, Gazmend Lluca, 19 vjeç dhe Emiliano Hoxha, 19 vjeç, të tre me banim në lagjen “Çezme” në Peqin, tentuan të vrisnin Astrit Kateshin, në atë kohë 46 vjeç.
Të rinjtë i zunë pritë Kateshit, teksa 46-vjeçari ka qenë duke lëvizur në këmbë në qendër të Peqinit dhe është përballur me të shtënat, që dolën nga një automjet në ecje, i llojit “Volksvagen Golf”, ngjyrë gri, me targa ‘PE 1650 A’.
Ngjarja mësohet se në atë kohë, para 12 viteve, ndodhi për motive të dobëta, pas një konflikti që Hakballa kishte pasur në atë kohë me Kateshin.
Në vitin 2008, në pranga në lidhje me ngjarjen, përveç tre të rinjve që akuzoheshin si atentatorë, u vu edhe Emin Hakballa, babai i adoleshentit, dhe u akuzua për përkrahje të autorëve në krimin në tentativë. Si prova materiale, u sekuestruan dy granata dore me bisht druri, mjeti ‘Volksvagen Golf’ me targa ‘PE 1650 A’, një gëzhojë e kalibrit 7 mm që duhet të ishte përdorur nga një armë tip Mini Blow dhe një gëzhojë e kalibrit 7.62 mm.