A do të ketë një tryezë Rama-Basha sidomos tashmë pas përsëritjes së kërkesës për dialog politike si një nga kushtet e Gjermanisë, kreu i PD-së Lulzim Basha u përgjigj se as ai, as PD e as opozita e bashkuar nuk ka qenë kurrë pengesë për dialog.
“As unë, as PD e as opozita e bashkuar nuk ka qenë pengesa për dialog politik për t’i dhënë fund krizës. Dua ta përsëris për çdo shqiptar PD dhe unë i kemi thënë po propozimit të partnerëve tanë ndërkombëtarë që më 9 qershor, ai që ka refuzuar propozimin për zgjidhjen e krizës, që ka refuzuar angazhimin e faktorit ndërkmbëtar është Edi Rama, sepse donte të kapte pushtetin lokal me një proces monist, antikushtetues”, tha Basha.
Ai shtoi se duhet pyetur pikërisht kryeministri pse e refuzoi zgjidhjen e krizës.
“Ndaj ju lutem nëse ju lejojnë, bëjani këtë pyetje kryeministrit “Pse ka refuzuar ofertën e faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës”. Sepse nuk është as PD, as opozita dhe as unë shkaktari dhe fajtori. Është një dhe një i vetëm dhe ky është Edi Rama”, tha Basha.
