Joakim Lëv me siguri nuk e kishte parashikuar kështu lamtumirën e tij nga përfaqësuesja gjermane pas 15 vitesh në drejtim. Gjermanët i dhanë lamtumirën Euro 2020 në 16-she, të eliminuar nga Anglia, e trajneri i dha fund aventurës së tij në drejtimin e saj pasi që nga shtatori do të zëvendësohet në pankinë nga Hansi Flik.
“Ky është një zhgënjim i madh për ne. Ne shpresonim që të arrinim shumë më tepër në këtë turne dhe besimi te kjo skuadër ishte i madh. Në ndeshje të tilla është thelbësore të shfrytëzosh rastet që të shfaqen. Timo Verner dhe Tomas Myler për fat të keq nuk mund të shënonin me mundësitë që kishin ndaj është ndjesi e keqe që jemi jashtë.
Disa nga këta lojtarë do të jenë në majat e tyre në EURO 2024. Do të jenë më të pjekur, me më shumë eksperencë dhe më të pamëshirshëm para portës.
E ardhmja ime? Pas 15 vitesh në këtë detyrë, me gjithë përgjegjësinë që kishte, një pushim është i nevojshëm. Do të vijë momenti kur të gjej energji për diçka tjetër. Por për momentin nuk kam plane konkrete”, tha Lëv.