Lëvizja “Europa Tani” e Presidentit Jakov Millatoviç është fituesja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të zhvilluara të dielën në Malin e Zi. Por ajo nuk do të mund të bëjë e vetme qeverinë dhe se do të duhet të provojë krijimin e një koalicioni me parti të tjera.
Lëvizja “Europa tani” që drejtohet nga Milojko Spajiç ka marrë 25.9% të përkthyera në 23 mandate në parlamentin me 81 vende. Ajo ndiqet me një rezultat të ngushtë nga koalicioni “Së bashku” i udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve të ish-Presidentit Milo Gjukanoviç me 23.9% të votave që sipas të dhënave paraprake përkthehet në 22 deputetë, 1 më pak se fituesit.
Në vend të tretë është një koalicion i partive të njohura si proserbe me 13 deputetë, ndërsa Lëvizja Ura e Kryeministrit në detyrë Dritan Abazoviç ka marrë një rezultat të mirë me 12.3% të votave që mund të çojë 11 deputetë në parlament. Në Parlamentin e ri të Malit të zi do të jenë të paktën edhe 4 shqiptarë.
Prej vitit 2020 Mali i Zi është përfshirë nga kriza politike duke bërë që qeveria të mos kishte një mandat të plotë. Lëvizja “Europa Tani” ka premtuar vijimin e reformave që anëtarësojnë vendin në Bashkimin Europian. Ajo që ra në sy në këto zgjedhje ishte pjesëmarrja më e ulët ndonjëherë në vetëm 56.7% kur vetëm 2 muaj më parë në zgjedhjet presidenciale ajo e kalonte 70%.
