Liderët e Bashkimit Evropian kanë intensifikuar diskutimet për forcimin e konkurrueshmërisë ekonomike dhe përshpejtimin e integrimit të tregut të përbashkët gjatë një takimi joformal të mbajtur në Castello di Alden Biesen në Belgjikë.
Takimi u shoqërua me një deklaratë të përbashkët nga kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit franko-gjerman për të çuar përpara integrimin ekonomik të BE-së, pavarësisht dallimeve në disa qëndrime politike.
Merz deklaroi se Berlini dhe Parisi janë “pothuajse gjithmonë në një linjë”, ndërsa Macron nënvizoi se ekziston një marrëveshje e fortë mes dy vendeve për zhvillimin e Bashkimit të Tregjeve të Kapitalit, një projekt kyç për rritjen e investimeve dhe stabilitetit financiar në BE, raporton Corriere della Serra.
Roli i aleancave dhe tensionet politike
Fillimisht, samiti ishte parashikuar të dominohej nga bashkëpunimi italo-gjerman.
Megjithatë, diskutimet përfshinë një spektër më të gjerë liderësh, përfshirë kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe atë belg Bart De Wever, të cilët organizuan një takim paraprak për koordinimin e politikave të konkurrueshmërisë me pjesëmarrjen e rreth 20 vendeve evropiane.
Në këtë proces, presidenti Macron u mbështet edhe nga ish-kryeministri italian Mario Draghi, i cili mbështet rritjen e investimeve publike dhe private, përfshirë mundësinë e emetimit të borxhit të përbashkët evropian.
Por, takimi nuk kaloi pa polemika.
Spanja mungoi në diskutimet paraprake dhe qeveria e kryeministrit Pedro Sánchez shprehu shqetësime se iniciativa mund të rrezikojë parimet themelore të BE-së. Autoritetet italiane kundërshtuan këtë qëndrim, duke deklaruar se çështja nuk ishte ngritur drejtpërdrejt gjatë bisedimeve bilaterale.
Urgjenca për rritjen e konkurrueshmërisë
Presidenti i Këshilli Evropian, António Costa, tha se diskutimet treguan një ndjenjë të përbashkët urgjence për të adresuar rënien e konkurrueshmërisë evropiane.
Ai theksoi se synimi është arritja e marrëveshjeve konkrete në samitin e marsit, ku presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të prezantojë një plan veprimi dhe një hartë rrugore për integrimin e tregut.
Sipas von der Leyen, synimi strategjik është krijimi i një tregu unik evropian funksional deri në fund të vitit 2027.
Në hartimin e politikave, rol këshillues kanë luajtur edhe ish-kryeministrat italianë, përfshirë Enrico Letta.
Sfida në sektorët strategjikë
Diskutimet u përqendruan në mungesën e integrimit në sektorë kyç si energjia dhe financat.
Çmimet e larta të energjisë mbeten shqetësim i përbashkët, edhe pse vendet anëtare kanë propozime të ndryshme për zgjidhjen e tyre.
Komisioni Evropian planifikon të prezantojë në mars një regjim të ri ligjor për bizneset, si dhe të përfundojë deri në qershor fazën e parë të Bashkimit të Kursimeve dhe Investimeve, që përfshin integrimin e tregut financiar, mbikëqyrjen dhe mekanizmat e sekuritizimit.
Nëse progresi mbetet i kufizuar, von der Leyen paralajmëroi mundësinë e përdorimit të mekanizmit të bashkëpunimit të përforcuar mes të paktën nëntë shteteve anëtare.
Liderët evropianë ranë dakord gjithashtu për nevojën e uljes së varësive strategjike dhe për zhvillimin e një politike tregtare më ambicioze.
Diskutimet përfshinë edhe mundësinë e konsolidimit të kompanive në sektorin e telekomunikacionit për të rritur kapacitetet investuese dhe inovative në nivel kontinental.
