Në Tiranë, trotuaret dhe rrugët po lirohen çdo ditë nga tavolinat, karriget dhe tendat e vendosura pa leje nga bizneset, në kuadër të një pune të vazhdueshme për rikthimin e hapësirave publike në funksion të qytetarëve.
Që prej muajit korrik 2025 edhe në kryeqytet ka vijuar puna për heqjen e objekteve që cenonin sigurinë e këmbësorëve dhe pengonin lëvizjen e lirë.
Ndërhyrjet nuk përbëjnë një aksion të përkohshëm, por janë pjesë e një angazhimi të përditshëm institucional, që po shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit, me synim garantimin e aksesit në hapësirat publike për të gjithë.
Zona pranë “21 Dhjetorit”, pas lirimit të hapësirave, ato po rikthehen në hapësira të gjelbra dhe funksionale për komunitetin.
Operacioni realizohet nga Policia Bashkiake në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit, duke synuar eliminimin e zënieve të paligjshme dhe përmirësimin e standardeve urbane.
Lirimi i hapësirave publike i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon rikthimin e ligjshmërisë në territor dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve.
Ndërkohë, qytetarët vijojnë të raportojnë rastet e shkeljeve përmes portalit “Hapësira ime publike”, ku deri më tani janë regjistruar 20,217 raste, nga të cilat 15,720 janë zgjidhur, ndërsa 4,497 të tjera janë në proces shqyrtimi.
