Pranvera në Xibër të Matit vjen çdo vit si një shpërthim i bardhë natyror, duke shndërruar “Livadhet e Ketit” në një nga destinacionet më të veçanta të turizmit malor në Shqipëri. Vetëm rreth 38 kilometra larg kryeqytetit, përmes Rrugës së Arbrit, udhëtimi të çon drejt fshatit Xibër, në territorin e Klos, ku natyra alpine dhe peizazhet e paprekura krijojnë një nga mozaikët më tërheqës ruralë të vendit.
Në “Livadhet e Ketit”, aty ku shtrihet një nga masivet më të mëdha të “Lules së Poetit” në Shqipëri, çdo fundjavë mbërrijnë dhjetëra vizitorë që kërkojnë të kalojnë disa orë mes qetësisë së natyrës dhe ajrit të pastër malor. Pranvera këtu nuk është thjesht një stinë, por një spektakël i përkohshëm natyror që zgjat vetëm pak javë.
Zona ndodhet në rreth 1300 metra mbi nivelin e detit, ku ngjitja drejt livadheve kalon përmes një terreni të moderuar dhe të përballueshëm për pothuajse çdo grupmoshë. Me çdo hap, ajri freskohet, ndërsa panorama hapet gradualisht mbi kodrat dhe vargmalet përreth, duke krijuar ndjesinë e një hyrjeje në një peizazh gjithnjë e më të izoluar dhe të pastër.
Ajo që i jep zonës një karakter të veçantë është lulëzimi i “Narcissus poeticus”, e njohur si “Lulja e Poetit”. Ky masiv natyror, i rrallë dhe i përqendruar në këtë zonë, krijon një tapet të bardhë që mbulon livadhet gjatë muajve prill dhe maj.
Ky lulëzim i përkohshëm e bën destinacionin veçanërisht të kërkuar, pasi cikli i shkurtër biologjik i lules kërkon që vizitorët të planifikojnë vizitën e tyre me kujdes. Kush dëshiron ta përjetojë nga afër këtë peizazh unik duhet të nxitojë, përpara se petalet e bardha të bien bashkë me fundin e pranverës.
Afërsia me Tirana e bën këtë destinacion veçanërisht të aksesueshëm për vizita ditore. Rruga drejt Xibrës dhe më pas shtigjet drejt Livadheve të Ketit ofrojnë një kombinim të rrallë mes natyrës së egër, dhe bukurisë që shpërfaqet në brendësi të livadhit.
Itinerari i ecjes, rreth një orë në varësi të ritmit, kalon nëpër shtigje të hapura dhe zona me vegjetacion të pasur, ku natyra ruan ende karakterin e saj të egër dhe të paprekur, ndërsa pjerrësia është e nivelit mbi mesatar.
Rritja e interesit për këtë destinacion po krijon një dinamikë të re për ekonominë lokale në zonën e Xibër dhe Klos. Banorët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt agroturizmit, agrobizneseve të vogla dhe shërbimeve mikpritëse, duke e kthyer turizmin në një burim të rëndësishëm të ardhurash.
Produktet tradicionale, blegtoria dhe mikpritja familjare po ndërthuren me kërkesën në rritje për turizëm të gjelbër, duke forcuar një model zhvillimi të qëndrueshëm rural.
“Livadhet e Ketit” janë pjesë e një hallke të rëndësishme në mozaikun e destinacioneve malore të Shqipërisë, ku natyra, kultura rurale dhe aksesueshmëria bashkohen në një ofertë të re turistike.
Periudha më e këshilluar për vizitë mbetet prilli dhe maji, kur lulëzimi i “Lules së Poetit” arrin kulmin dhe peizazhi shfaqet në formën e tij më spektakolare, duke e kthyer këtë zonë në një destinacion të domosdoshëm për dashamirësit e natyrës dhe ecjeve malore.
